Arrestohet ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina, i shpallur në kërkim që prej Majit të vitit 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”, të zhvilluar nga SPAK, ku u lëshuan 50 urdhër arresti. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ish punonjësi i policisë akuzohet se bashkëpunonte me Durim Bamin, të cilësuar si “i forti” i Niklës, për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike kryesisht në zonën e Niklës dhe të Tapizës.
Ky bashkëpunim, thoshte SPAK, është bërë gjatë kohës që Morina ishte punonjës i Policisë së Shtetit, në repartin Renea. 45-vjeçari akuzohet për veprën penale kultivim të bimëve narkotike, e kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
“Ish efektivit të Renea-s Altin Morina, policia i gjeti me vete gjatë kontrollit edhe një armë zjarri pistoletë. Bashkë me të, u procedua në gjendje të lirë edhe drejtuesin e automjetit që Morina lëvizte, një 25-vjeçar i akuzuar për veprën penale përkrahja e autorit të krimit”, raportoi gazetarja e A2 CNN Xhensila Kodra.
Ish-efektivi është arrestuar edhe më herët nga policia. Në mars të vitit 2023 ai u prangos pasi në makinën me të cilën po lëvizte në zonën e Kodrës së Diellit iu gjetën 113 mijë euro. Më pas gjykata e la të lirë duke caktuar detyrim paraqitje, pasi Morina pretendonte se shuma e parave ishte marrë hua tek një miku i tij biznesmen, për arsye shëndetësore. (A2 Televizion)