Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë finalizuan operacionin policor të koduar “Strategjia”, duke arrestuar në flagrancë një 21-vjeçar i cili dyshohet se ka mashtruar në mënyrë të përsëritur disa qytetarë, duke përdorur identitet të rremë për t’iu marrë para, shkruan A2 CNN.
Shtetasi i arrestuar është E. H., 21 vjeç, banues në Paskuqan, i cili u kap në momentin që po i merrte një shumë parash një 26-vjeçareje, të cilën e kishte mashtruar më parë.
Pas kallëzimit të një shtetaseje që denoncoi mashtrimin dhe dhënien e shumave të ndryshme parash për autorin, Policia nisi hetimet dhe punën për kapjen e tij.
Falë veprimeve operative të ndërmarra në kuadër të këtij operacioni, 21-vjeçari u arrestua në flagrancë gjatë kryerjes së veprës. (A2 Televizion)