Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë nga Policia e Tiranës, pas një konflikti mes dy personave në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”. Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi ka kanosur me armë zjarri një shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, ndërhynë me shpejtësi pas marrjes së informacionit për incidentin, shkruan A2 CNN.
Në pranga ranë:
L. M., 27 vjeç, i akuzuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, pasi gjatë një konflikti me 32-vjeçarin A. R., dyshohet se e ka kërcënuar këtë të fundit me armë zjarri;
R. M., 25 vjeç, vëllai i autorit të dyshuar, i cili u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se fshehu armën e zjarrit menjëherë pas ngjarjes.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e përdorur në ngjarje, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak si dhe një automjet, që po përdorej nga të dyshuarit.
(A2 Televizion)