Arrestohet Vladimir Gjuta, 18-vjeçarja plagoset me plumb në hotel, “zhduken” provat

Nga Armand Bajrami
14 Shkurt 2026, 17:30 | Kronikë

Një 18-vjeçare është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta për policinë në orët e para të 14 shkurtit në një hotel në pronësitë të afërmve të të dashurit të saj në zonën e Saukut në kryeqytet.

Në spital e reja, e identifikuar me emrin Natali Murati, që kishte marrë një plumb tjeshkues në kraharor, u dërgua nga dy familjarë të të dashurit 22-vjeçar, Erisjaldo Gjuta, që i thanë punonjësve të policisë se e kishin gjetur të plagosur në rrugë pranë rreth-rrotullimit të Fakultetit Ekonomik.

Ndërsa vetë e lënduara, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, tha se ishte vetëplagosur. Pas veprimeve të para hetimore, policia ngriti dyshime për një tjetër version të ngjarjes, çka çoi në arrestimin e 2 anëtarëve të familjes Gjuta dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, të dyshuar për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Të arrestuar janë Vladimir Gjuta, xhaxhai i të dashurit të 18-vjeçares, person me precedentë të mëparshëm penale dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta) nëna e të riut. Në kërkim janë ai vetë dhe Sajmir e Elvir Gjuta.

Nga hetimi ka rezultuar se vajza ishte plagosur në një nga dhomat e hotelit. E reja pretendoi se kishte qenë vetëm në dhomën e hotelit, kur kishte qëlluar veten duke thënë se ‘kishte bërë shumë gabime në jetë’.

Dyshohet se pasi e kanë gjetur të plagosur, dy nga anëtarët e familjes Gjuta e kanë dërguar në QSUT, por të porositur të mos tregonin që u plagos në hotel. Nga ana tjetër, dyshohet se Vladimir Gjuta dhe të tjerët kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe po ashtu fshehur armën me të cilën është plagosur e reja.

Policia vijon hetimet për të gjetur armën, por edhe saktësuar nëse versioni i dhënë nga e reja është i vërtetë. I arrestuari Vladimir Gjuta, është hetuar në vitin 2015 si organizator i vendosjes së një eskplozivi në farmacinë e babait të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, hetim që u pushua për mungesë provash.

Po ashtu ai është përballur me drejtësinë për dhunë në familjes, thyerje të masave të sigurisë, si edhe për lëvizjen me një armë me vete dhe një sasi prej më shumë se 100 mijë euro cash.

Gjatë qëndrimit në qeli ai u përfshi në disa incidente, nga goditja dhe kafshimi i gardianëve të burgut. Në vitin 2017Gjykata e Tiranës urdhëroi kurimin e detyrueshëm të tij në një spital psikiatrik.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos