Një arsenal armësh është zbuluar nga Policia e Vlorës, i fshehur në murin e një ndërtese të pabanuar në lagjen “Hajro Çakërri”.
Gjatë një kontrolli të bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë gjetën në katin e dytë të objektit disa armë dhe municione të murosura.
Në vendngjarje u sekuestruan:
2 armë zjarri automatike
12 granata difensive pa ndezës
14 ndezës granatash të mbështjellë me letër
Rreth 2200 fishekë luftarak
Armët dhe municioni do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale, shkruan A2 CNN.
Ndërtesa ku u gjetën armët rezultoi në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në të njëjtën lagje, i cili është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore. (A2 Televizion)