Doksan Dushku, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen me kallashnikov të vajzës së tij shtatzënë në maj 2014 në Sllovë të Dibrës, kërkon ulje të dënimit në Gjykatën e Lartë.
11 vjet pas krimit Dushku i është drejtuar kësaj gjykate, ku kërkon shfuqizimin e dënimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda në vitin 2015, i lënë në fuqi edhe në Apel.
Në rekursin e depozituar, Dushku pretendon revokim të dënimit për shkak të një vendimi të Kushtetueses, për shfuqizimin e një paragrafi të nenit të Kodit të Procedurës Penale për bashkimin e dënimeve. Përfundinisht ai kërkon dënimin me 21 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 16 vite, shkruan A2 CNN.
Doksan Dushku, 80-vjeçari nga Dibra, u akuzua dhe gjykua për vrasjen e vajzës së tij shtatzënë, Fatmira Doksani, në oborrin e banesës së tyre në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë. Nga hetimi rezultoi se shkak i vrasjes ka qenë shtatzënia e 21-vjeçares.
Sipas Prokurorisë, ky fakt është vënë re nga familja e saj disa javë para ngjarjes. I pandehuri Doksan pohoi gjatë hetimit se të bijën e kishte vrarë ai, dhe se këtë e kishte bërë ngaqë ajo e kishte bërë me turp të madh, ngaqë kishte ngelur shtatzënë, duke mos qenë as e fejuar e as e martuar, dhe se kjo kishte qenë e papranueshme për atë. (A2 Televizion)