Të miturit vijojnë të tregojnë anën më të errët dhe më të egër të natyrës njerëzore. Sikur të mos mjaftonin ngjarjet dhe jetët e marra të të miturve nga bashkëmoshatarët e tyre, një tjetër ngjarje e rëndë me protagonistë të miturit ka tronditur juglindjen e vendit.
Një 14-vjeçar ka goditur me thikë një bashkëmoshatarin e tij duke e lënë të vdekur. Ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Pirg të Bashkisë së Maliqit, shkruan A2.
Grindjet e nisura në rrjetet sociale, si e vetmja mënyrë ndërveprimi të kësaj moshe, dyshohen si shkaktare të këtij krimi. Sikur të mos mjaftojë vrasja, babai dhe xhaxhai i autorit të mitur, Edison dhe Roland Guri, kanë tentuar ta fshehin dhe të humbin gjurmët duke e ndihmuar të fshehë thikën më të cilën u krye vrasja.
Një tjetër dëshmitar në vendgnjarje, Flori Çela, tentoi të mos tregonte krimin, ndërsa të tre janë arrestuar nga policia. Kjo e fundit ka nisur hetimet në gjendje të lirë edhe për 4 të mitur të tjerë që akuzohen për moskallëzim krimi dhe kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Një krim i kryer nga një i mitur, që tentohet të fshihet nga ata që normalisht do të duhej ta këshillonin dhe ta drejtonin në një qasje tjetër ndaj jetës dhe shoqërisë. Një dramë sa familjare për familjen që humbi djalin aq edhe e shoqërisë për degradimin që ka pësuar. Një krim i paralajmëruar nga qëndrimet e autorit 14-vjeçar në rrjetet sociale me fotot me armë.
Dhe një polici që kujtohet të angazhohet vetëm kur bëhet gjëma. Një ngjarje e rikthyer vetëm se me personazhe dhe vendgjarje tjetër, duke zgjeruar hartën e krimeve të tilla në të gjithë vendin. (A2 Televizion)