Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Trush, ku në pranga kanë rënë babë e bir, pasi akuzohen se qëlluan me armë zjarri në ajër për të kanosur fqinjin e tyre.
Uniformat Blu kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që dyshohet se u përdor gjatë konfliktit si dhe municion luftarak.
“Në vijim të hetimeve që po kryhen për dokumetimin e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në fshatin Trush, ku 3 shtetas dyshohet se qëlluan në ajër, me armë zjarri dhe me armë gjahu, për të kanosur fqinjin e tyre, shtetasin P. N., për motive të dobëta, bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit në pronësi të shtetasit kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje, të cilën autorët e dyshuar e kishin fshehur afër banesës së tyre”, njofton policia.
Po ashtu bëhet me dije se arma e zjarrit do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Ndërkohë, dy ditë më parë policia sekuestroi edhe dy armë gjahu dhe vuri në pranga babë e bir me inicialet Ç. M., dhe D. M., ndërsa u shpall në kërkim djali tjetër, shtetasi me inicialet E. M.. (A2 Televizion)