SPAK ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe biznese në qytetin e Elbasanit. Mësohet se urdhri është dhënë nga prokurorët që po hetojnë organizatën kriminale të Suel Çelës. Burime thanë se kontrolle janë ushtruar në zyrat e biznesit të Nazif Bajrami, pronar i kompanisë “Bajrami N” dhe biznesmen i njohur fushën e ndërtimit në Elbasan, i cili ka fituar një sërë tenderash nga institucionet publike.
Po ashtu, kontrolle janë ushtruar edhe tek Marenglen Çoku, administrator i ekipit të Futbollit të Elbasanit, i cili është dhe pronar i kompanisë “ÇOKU M & E”.
Të njëjtat burime konfirmojnë se oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, Luan Tabaku.
Nga bisedat në SkyECC dyshohet se biznesmenët ndaj të cilëve pati kontroll kanë bashkëpunuar me Çelën ndërsa Prokuroria e Posaçme po heton edhe tendera publikë që dyshohet se janë përfituar nga krimi i organizuar përmes personave të tretë. (A2 Televizion)