Batuta dhe ironi te Siguria, Salianji pyet ministrin Hoxha për “shtetin e ri” të bektashinjve

Nga Julian Kasapi
23 Shtator 2024, 14:53 | Kronikë

Përballja me deputetët e opozitës për ministrin e Brendshëm nuk kaloi dhe pa nota ironie.

Deputeti demokrat Ervin Salianji përmendi historinë pas planeve për krijimin e një shteti të pavarur të Urdhrit Bektashi në Tiranë. Duke iu drejtuar Hoxhës, Salianji e pyeti a do të ketë polici në këtë shtet të ri, pasi në territorin shqiptar Policia e Shtetit nuk ka autoritet, pasi krime dhe vrasje ka kudo.

“Unë jam sot para jush si ministër i Brendshëm dhe përgjegjës i institucionit më të lartë të sigurisë në vend. Nuk jam as gazetar, as deputet, dhe nuk e kam këtë përvojë në jetën time të mëparshme. Jam këtu me një mision të caktuar, brenda kornizave që më jep ligji, dhe do t’u përgjigjem pyetjeve me korrektësi dhe me integritetin që më cakton detyra”, deklaroi Hoxha.

Sa i përket Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se 4 nga kandidatët për drejtor janë skualifikuar. Gara për Drejtorin e Përgjithshëm u bë objekt debati ku deputetët e opozitës u ndalën tek disa emra, sipas tyre, të inkriminuar.

Kandidatët e skualifikuar në listën me 15 emra janë Sami Rasha, Shemsi Premçi, Ibrahim Disha e Hajrulla Xhivini. Ky i fundit u skualifikua pas publikimit të pamjeve në rrjete sociale që dëshmonin sjelljen e pahijshme ndaj institucioneve të drejtësisë në vend. Sipas ligjit, drejtori i ri duhet të jetë aktualisht funksionar i Policisë së Shtetit në detyrë dhe të ketë gradë të rolit të mesëm drejtues.

Ndaj, Shemsi Premçi është skualifikuar pasi nuk është në radhët e uniformave blu. Hoxha tha se procesi po monitorohet dhe nga ndërkombëtarët. Mes emrave në garë janë edhe drejtues aktualë të disa departamenteve në Policinë e Shtetit. Mes tyre Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor i Departamentit të Marrëdhënive Ndërkombëtare, Idajet Faskaj, shef i Interpol Tirana, Rebani Jaupi, Drejtori i Departamentit Për Rendin Dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, i cili aktualisht mban detyrën e Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale si dhe Skënder Hita e Ardian Cipa, në Policinë e Durrësit dhe atë të Gjirokastrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos