Policia e Tiranës ka arrestuar një 23-vjeçar, të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Blloku 33”, raporton A2 CNN.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 1 kg e 964 gramë Kokainë, 450 gramë Heroinë, 2 armë zjarri pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash si dhe gjatë periudhës hetimore janë sekuestruar 85 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Blloku 33”, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin, A. H., 23 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)