Policia e Tiranës bën me dije se ka vënë në pranga një person në lidhje me protestën e zhvilluar një ditë më parë nga opozita në zonën e Mbikalimit të Kamzës, ku u pezullua për 3 orë qarkullimi i mjeteve në të dyja krahët.
Personi i arrestuar akuzohet për "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal, teksa po ashtu janë proceduar penalisht dhe deputetët Flamur Noka, Xhelal Mziu, Asllan Dogjani dhe Albana Vokshi.
“Janë proceduar 33 shtetas, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" dhe "Prishja e qetësisë publike", parashikuar nga nenet 293 dhe 274 të Kodit Penal.
Po punohet për kapjen e 2 personave të tjerë dhe gjithashtu janë shpallur në kërkim 3 automjete.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete të cilat janë përdorur për bllokimin e rrugës, ditën e djeshme”, shkruhet mes të tjerash në komunikatën e policisë. (A2 Televizion)