Call center-at, policia goditi në total në gjithë vendin vetëm 8 të tillë në një vit

Nga Igli Çelmeta
19 Janar 2026, 09:48 | Kronikë

Sipas statistikave dhe informacioneve të siguruara nga A2 CNN, gjatë vitit 2025 në Shqipëri Policia e Shtetit ka goditur gjithsej vetëm 8 call center të parregullt, ndonëse ky fenomen konsiderohet gjerësisht i përhapur dhe problematik. Shifrat tregojnë një kontrast të fortë mes përmasave reale të mashtrimeve dhe numrit relativisht të ulët të operacioneve të finalizuara.

Goditja e parë u shënua më 7 janar, me operacionin “Fake Promise”, ku u arrestuan pronari dhe administratori i një call center-i që mashtronte shtetas të huaj për investime në bursa fiktive. U sekuestruan pajisje kompjuterike dhe lista me të dhëna të viktimave.

Më 31 janar, operacioni “Location” çoi në arrestimin e administratorit dhe procedimin e 13 operatorëve, mes tyre edhe shtetas të huaj. Ambienti në rrugën “Themistokli Gërmenji” funksiononte si subjekt i palicencuar mashtrimi.

Më 2 shkurt, policia finalizoi operacionin “Location 1”, duke arrestuar 6 persona në një call center në rrugën “Dritan Hoxha”. Operatorët mashtronin viktima të huaja duke u premtuar rikuperim fondesh të humbura.

Pas dy muajsh hetime, më 2 prill, u godit “Location 2”, ku u arrestua organizatori dhe u proceduan 5 operatorë të tjerë. Call center-i funksiononte në një apartament të marrë me qira për këtë qëllim.

Më 14 maj, operacioni “Recovery” u zhvillua në kuadër të një hetimi ndërkombëtar, ku u arrestua një nga organizatorët dhe disa punonjës. Mashtrimi kryhej përmes platformave të rreme investimesh online.

Më 4 qershor, operacioni “Last Call” çoi në arrestimin e dy administratorëve të një call center-i në Rrugën e Barrikadave. Subjekti ishte i paregjistruar dhe kishte aktivitet të padeklaruar.

Goditja më e madhe u shënua më 4 tetor, me operacionin “SCAMS”, ku u sekuestruan mbi 100 mijë euro dhe u proceduan 38 operatorë. Call center-i mashtronte qytetarë evropianë me shuma milionëshe.

Ndërsa më 12 nëntor, operacioni “Wrong Call” zbuloi një tjetër ambient në Selitë, ku u arrestua menaxheri dhe dy punonjës. Policia shpalli në kërkim edhe personat që kishin marrë ambientin me qira për këtë veprimtari.

Në total, vetëm 8 call center të goditur në një vit, ndërkohë që fenomeni vijon të mbetet një nga format më të përhapura të mashtrimit ekonomik në vend.

Struktura përgjegjëse në drejtorinë e përgjithshme të policisë së Shtetit për goditjen e fenomenit të call center-ave është departamenti i policisë kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos