Dalin pamjet e megaoperacionit të SPAK, 52 urdhër arreste, të përfshirë avokatë e policë

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 09:33 | Kronikë


A2 CNN ka siguruar pamjet e megaoperacionit të iniciuar nga SPAK, ku janë angazhuar agjentë të BKH, Krimi Ekonomik dhe struktura të tjera të policisë.

Dhjetëra automjete policie dhe agjentë shihen teksa nisin operacionin “Ura” që është shtrirë në disa qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Fier.

Falë bashkëpunimit midis skuadrës antimafia të Barit dhe autoriteteve shqiptare janë lëshuar mes Italisë dhe Shqipërisë, 52 urdhër-arreste.

A2 CNN mëson se në Fier është ndaluar administratori i shoqërisë së transportit të udhëtarëve "Ligori Travel", Ligor Çombashi, ndërsa urdhërarreste janë lëshuar edhe për një avokat dhe një ish-punonjës policie në Durrës.

SPAK ka masë sigurie edhe për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës, por masa nuk është ekzekutuar ende. Masa arresti janë lëshuar edhe për shtetasit Orgest Molla dhe Hasan Nderjaku. Po ashtu mësohet se dy prej personave të ndaluar janë nga Vlora. 

Më 14 prill gjatë një tubimi elektoral në Durrës, kryedemokrati Sali Berisha përmendi emrin e Doçit, duke bërë thirrje që ai të mos blejë vota për llogari të mazhorancës.

Unë i them nga kjo sallë këtu sot çdo banditi, i them Visit të Pojës, Suel Çelës, Shytëve kudo që janë, se për çdo votë, do keni një vit më shumë dënim. Mos prekni votën e shqiptarëve. Do mjeroheni në atë mënyrë që nuk e imagjinoni kurrë. Ushtarë të të keqes së Edi Ramës, guxoni dhe kërcënoni qytetarët, do e pësoni siç e meritoni”, deklaroi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos