Aurel Zarka, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, i arrestuar në korrik të vitit të shkuar nga SPAK pas dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe në ndikim të funksionarëve të drejtësisë për dosjen “Toyota Yaris”, nuk mundit të bindë Gjykatën e Posaçme për të kundërtën.
Një treshe gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Erion Bani e shpallën fajtor ish-funksionarin e drejtësisë për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe e dënuan me 4 vjet heqje lirie.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe përfundimisht u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg.
Prokurori i pezulluar nga detyra nga KLP pas arrestimit u gjet fajtor për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve e funksionarëve të drejtësisë”, “korrupsion aktiv” në të njëjtën kategori dhe “ushtrim të ndikimit të jashtëligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në tre raste.
Hetimi që çoi në pranga Zarkën nisi pas materialeve të përcjella nga autoritetet belge të drejtësisë të komunikimeve në SKY ECC. I njëjti hetim shpalli në kërkim ish-Oficeren e Policisë Gjyqësore, Erjona Daupaj, avokatin Radovan Cela dhe Astrit Vladin.
Sipas SPAK, të dyshuarit, Zarka, Daupaj e Çela, që ishin zotërues të telefonave SKY ECC, kanë ndërhyrë në 4 raste në ecurinë e dosjen “Toyota yaris” të futjes së 3.4 mln eurove në Shqipëri, që nisi për “grup kriminal” e “pastrim parash” dhe përfundoi me një të dënuar nga Gjykatat e zakonshme.
Po sipas SPAK ata kanë ndikuar në hetimin pasuror ndaj Suel Çelës nga SPAK, në një çështje për “vjedhje” dhe dy për “kultivim narkotikësh”.
Në një proces paralel Gjykata e Posaçme u njoh të martën me konkluzionet e mbrojtjes të avokatit të pandehur në të njëjtën çështje Radovan Çela. Përmes avokatit, Çela pretendoi se akuza ndaj tij nuk provohej dhe kërkoi pafajësi nga Gjykata. (A2 Televizion)