Në një ceremoni të shkurtër, në prani të trupës së prokurorëve të SPAK, kreut të BKH-së dhe disa diplomatëve të huaj, Altin Dumani ia kaloi stafetën e drejtimit pasuesit të tij, Klodian Braho. Dumani i cilësoi tre vitet në krye të Strukturës së Posaçme si më sfiduesit e karrierës së tij 26-vjeçare.
“Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë”, u shpreh Dumani.
Mes falënderimeve për të gjithë aktorët e SPAK dhe BKH-së, si dhe për partnerët ndërkombëtarë, Altin Dumani veçoi një falënderim të posaçëm për publikun.
“Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar. Besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare, duke e çuar përpara misionin e SPAK-ut me integritet dhe vendosmëri”, tha Dumani.
Në mesazhin e tij të parë publik si titullar i SPAK, Klodian Braho foli për forcimin e bashkëpunimit mes prokurorëve dhe hetuesve, me synim hetime më cilësore dhe me rezultate konkrete, shkruan A2 CNN.
“Në ushtrimin e kësaj detyre, fokusi im do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës. BKH dhe sektori i hetimit financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK. Bashkëpunimi i ngushtë mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet, duke synuar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Jemi një skuadër, të punojmë krah për krah me përkushtim në përmbushje të zotimit ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Braho.
Klodian Braho u zgjodh drejtues i SPAK në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të 11 dhjetorit, në një garë me tre prokurorë të tjerë të Strukturës së Posaçme. (A2 Televizion)