Gjyqi ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe të bashkëpandehurve të dosjes “Partizani” në gjykatën e Posaçme nuk u çel në seancën e parë të procesit.
Gjykata e Posaçme u detyrua të hënën të ndërpresë seancën në pak minuta dhe ta shtyjë për më 21 korrik, pasi konstatoi jo vetëm mungesën e ish-kryeministrit në sallën e gjyqit, por edhe faktin se i pandehuri Berisha nuk kishte marrë dijeni për datën dhe orën e seancës gjyqësore.
Sipas relatimit të kryesueses, Elsa Ulliri, fletëthirrja e gjykatë se dërguar nga shërbimet e policisë pranë banesës së ish-kryeministrit është firmosur nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si familjar. Por Malltezi, njëkohësisht i pandehur në dosjen “Partizani”, tha në sallën e gjyqit se fletëthirrja i kishte shkuar vetëm të premten dhe se nuk e kishte njoftuar vjehrrin e tij ish-kryeministër për gjyqin.
Në këtë mënyrë, paçka faktit të ditur botërisht për seancën e parë të dosjes “Partizani” më 30 korrik, në kushtet kur ish-kryeministri nuk është njoftuar sipas formës së kërkuar nga ligji, konsiderohet që nuk ka dijeni për gjyqin.
Po ashti, në seancë nuk kishte përfaqësues ligjor as një prej shoqërive tregtare, të pandehura në gjyq si person juridik. Përveç Malltezit në sallë ndodhej edhe i pandehuri Xhimi Begeja, ndërsa të pandehurit Fatmir Bektashi e Andia Pustina përfaqësoheshin me avokatë.
Jashtë sallës, Malltezi e konsideroi dosjen “Partizani” si gjueti shtrigash të Edi Ramës.
Në minutat e seancës së dosjes “Partizani”, kryesuesja Elsa Ulliri nuk relatoi ndonjë kërkesë të bërë prej saj. Në një proces të mëhershëm, po të hënën, për kërkesën e Jamarbër Malltezit për shfuqizuam të masës “arrest në shtëpi” gjyqtarja pohoi depozitimin e një kërkese për heqje dorë nga çështja, të argumentuar me papajtueshmëri ligjore.
E pyetur mbi këtë çështje, përmes zyrës së shtypit Gjykata e Posaçme tha se informacioni mbi ekzistencën ose jo të kësaj kërkese, dhe marrjen ose jo të një vendimi, do t’i bëhet me dije medias në seancën e 21 korrikut. (A2 Televizion)