I dënuar 50 herë, shqiptari lejohet të qëndrojë në Britani, sepse “veprat penale nuk ishin ekstreme”

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 11:38 | Kronikë

I dënuar 50 herë, shqiptari lejohet të qëndrojë në

Zenel Beshi, një shtetas shqiptar me gati 50 dënime, ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se kishte vuajtur një dënim gjashtëvjeçar në Itali për grabitje, vjedhje dhe privim të paligjshëm nga liria, shkruan A2 CNN.

Beshi, i përshkruar si një person me precedentë të “rëndë dhe të shpeshtë penalë”, nuk kishte deklaruar dënimet e tij kur hyri në Britani në vitin 2020. Megjithatë, një gjykatë e lartë e imigracionit e udhëhequr nga gjyqtarja Leonie Hirst vendosi që veprat penale të tij nuk përbënin rrezik “ekstrem” dhe se nuk shkaktonin “neveri të thellë publike”, duke i dhënë atij të drejtën të qëndrojë në vend, raporton media britanike “The Telegraph”.

Ky vendim është kritikuar ashpër nga opozita britanike. Chris Philp, nga Partia Konservatore, deklaroi se “është koha që gjyqtarët të mbrojnë qytetarët e ndershëm britanikë, jo kriminelët e huaj”. Ai shtoi se nëse do të jetë në pushtet, do të ndryshojë ligjin për të larguar të gjithë të huajt me dënime penale.

Beshi kishte aplikuar për leje qëndrimi si bashkëshort i një qytetareje të BE-së, por Home Office e refuzoi kërkesën duke e konsideruar si një rrezik të vazhdueshëm për shoqërinë. Megjithatë, një psikolog e cilësoi atë si “me rrezik të ulët” për përsëritje të krimeve.

Home Office ka paralajmëruar se nuk pajtohet me vendimin dhe po shqyrton mundësinë e një apelimi të ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos