Detaje dhe pamje nga operacioni 12 orësh në fortesën e terroristëve në Orosh

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 09:28 | Kronikë

Detaje dhe pamje nga operacioni 12 orësh në fortesën e

Pas 12 orësh rrethim u finalizua mbrëmjen e djeshme operacioni në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit, pas vetëdorëzimit të dy personave të armatosur që kishin kërcënuar me jetë efektivët dhe kishin hapur zjarr ndaj forcave speciale RENEA.

Ngjarja nisi rreth orës 09:00 të ditës së diel, kur patrulla e Komisariatit të Policisë Pukë konstatoi një person të dyshimtë që u fut me shpejtësi në një banesë të braktisur, sapo pa efektivët. Policia i kërkoi të dilte, por ai jo vetëm që nuk iu bind urdhrave, por nisi t’i kërcënonte. Informacionet paraprake për rrezikshmërinë e tij detyruan ngritjen e një perimetri sigurie dhe kërkesën për mbështetjen e forcave speciale.

Në vendngjarje mbërritën trupat speciale RENEA, strukturat e DVP Shkodër, Antiterrori dhe forcat “Shqiponja”. Ndërsa RENEA i bëri thirrje të dorëzohej, nga brenda banesës u qëllua me armë zjarri, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Situata u përshkallëzua, por forcat policore zgjodhën të vijonin negociatat për të shmangur viktimat.

Pas orësh të gjata bisedimesh, ku një rol kyç luajtën edhe të afërmit e të dy të ngujuarve, autorët u vetëdorëzuan. Njëri prej tyre, Erzen Ukës 35 vjeç, rezultoi i plagosur në kofshë dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kontrolli i banesës zbuloi një arsenal të rrezikshëm: 4 armë automatike, një pistoletë, 17 granata dore, municion luftarak, fitil zjarrpërcjellës, kapsolla detonatore dhe, mes tyre, një flamur të Organizatës Terroriste ISIS, i vendosur në mur.

Të arrestuarit, Erzen Ukës, nga Kurbin dhe Julian Çumarakut, 34 vjeç nga Puka, të dy me të shkuar kriminale, do të përballen me akuza të rënda, përfshi propagandë terroriste, prodhim armësh, kundërshtim me dhunë të policisë dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos