Dy viktima është bilanci i një krimi për motive të dobëta që ndodhi mesditën e sotme në fshatin Kurjan të Roskovecit. Altin Kuka i mori jetën xhaxha dhe nip, të identifikuar si Lavdimir dhe Gramos Kurti në ambientet e një lokali në pronësi të viktimave.
A2 CNN mëson se shkaku që ka shtyrë 49-vjeçarin të marrë armën automatike dhe të qëllojë mbi ta është bërë një grindje mes fëmijëve të tyre, që është regjistruar mbrëmjen e djeshme.
Sakaq në momentin që ka ndodhur ngjarja dy viktimat kanë qenë në lokalin në qendër të fshatit, që e kanë pronë të tyre, shkruan A2.
Ndërkohë, A2 CNN ka arritur të sigurojë edhe pamjet nga momenti kur autori i ngjarjes shoqërohet nga disa efektivë të repartit “Shqiponja” për në Komisariatin e Fierit. Sipas Drejtorit të policisë së Fierit, Shpëtim Hasanaliaj, i cili doli në një deklaratë për mediat duke dhënë sqarime për rastin, 49-vjeçari është vetëdorëzuar pak pasi kreu vrasjen.
“Rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku shtetasi Altin Kuka, banues në Fier dyshohet si autori i ngjarjes së ndodhur, duke vrarë me armë zjarri automatik dy shtetas, xhaxha dhe nip, të cilët kanë ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Pas kryerjes së këtij akti kriminal shtetasi Altin Kuka është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit. Dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, për shkak të një grindje që ka ndodhur mes djalit të tij dhe dy viktimave”, tha Hasanaliaj, citon A2.
(A2 Televizion)