Policia e Sarandës ka identifikuar dhe arrestuar autorët e një sherri të dhunshëm të ndodhur një ditë më parë në qytetin bregdetar, ku mbetën të plagosur rëndë një nënë dhe djali i saj.
Ngjarja u shënua në një parkim në lagjen nr. 4, ku 6 persona u përfshinë në konflikt. Sipas hetimeve, nënë e bir, N.A. dhe E.A., u goditën me grushte, shkopinj dhe sende të forta, duke pësuar plagë të shumta. Ata u transportuan menjëherë me autoambulancë në spitalin e Sarandës dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia fillimisht shoqëroi 4 persona, ndërsa më pas arrestoi në flagrancë dy prej tyre – vëllezërit Romeo Laze (45 vjeç) dhe Fabion Laze (39 vjeç), të cilët akuzohen për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”.
Dy vëllezërit janë persona me precedentë të shumtë penalë në Sarandë.
Në vitin 2011 u akuzuan për plagosjen e dy vëllezërve Avdiu.
Në vitin 2014, Fabion Laze u arrestua për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Në vitin 2015, Romeo Laze u arrestua për “dhunë në familje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.
Në vitin 2021, Romeo u arrestua sërish për trafik droge.
Në shkurt 2025, Prokuroria e Sarandës i sekuestroi 2 pasuri, 2 automjete dhe një biznes.
Fabion Laze, gjithashtu, ka precedentë penalë edhe jashtë vendit në fushën e narkotikëve. (A2 Televizion)