Digjet autovetura në trafikun e rënduar të Bradasheshit

Nga A2 CNN
15 Gusht 2026, 13:06 | Kronikë

Radhët e gjata që vuajnë qindra drejtues mjetesh çdo ditë në dalje të autostradës Tiranë-Elbasan, në zonën e Bradasheshit, kanë shkaktuar këtë të shtunë edhe djegien e një autoveture.

Me sa duket, koha e gjatë në trafikun thuajse të ndaluar ka shkaktuar tejnxehje dhe mbingarkesë të rrjetit elektrik të automjetit, çka mund të ketë shkaktuar edhe flakët.

Fatmirësisht, flakët janë pikasur në kohë nga drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët të cilët kanë arritur të dalin, shkruan A2.

Ndërsa mjeti u dogj plotësisht, pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve nga kahu i kundërt i autostradës.

Thuajse çdo ditë në këtë nyje problematike sa i takon trafikut të rënduar disa automjete pësojnë defekte kryesisht për shkak të kohës së gjatë që qëndrojnë të ndezur dhe në kushtet e temperaturave të larta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos