Një lokal veror në bregdetin e Darëzezës në Fier është përfshirë nga flakët rreth orës 17:30 të ditës së sotme. Zjarri është pikasur fillimisht nga banorë të zonës, të cilët kanë lajmëruar menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, shkruan A2 CNN. Megjithatë, duke qenë se lokali është i ndërtuar me dru, ai është djegur totalisht brenda disa minutash, pavarësisht edhe ndërhyrjes me mjete rrethanore nga banorët e zonës.
Lokali, në pronësi të shtetasit A. B., funksiononte prej 5 vitesh gjatë muajve të verës, ndërkohë që dëmi i përllogaritur arrin në 3 milionë lekë. Janë djegur të gjitha pajisjet që ndodheshin brenda ambienteve, 120 shezlongë dhe 60 çadra.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, pasi, sipas banorëve pranë lokalit, ka pasur vizitorë që kanë konsumuar birra dhe cigare. Në lokalin e mbyllur që nga përfundimi i sezonit, energjia elektrike ishte e ndërprerë. Pritet verifikimi nga ana e grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)