Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 56-vjeçar i cili po transportonte 8 kg e 45 gram kanabis në automjetin e tij. Sipas njoftimit të policisë, 56-vjeçari Taulant Çyço, u kap në rrugën “Pandi Dardha” në Laprakë. Dyshohet se drogën e posedonte për ta shitur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasit T. Ç., 56 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se një shtetas po transportonte një sasi kanabisi të cilën e posedonte me qëllim shitjen janë vënë në ndjekje të tij dhe në rrugën “Pandi Dardha”, Laprakë, kanë ndaluar, automjetin tip “Audi A3” me drejtues 56-vjeçarin”, njofton Policia.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi A3”, u gjetën të fshehura në bagazh, 8 kg e 45 gram kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin, ndërsa gjatë kontrollit të banesës, iu gjet e iu sekuestrua një armë gjahu pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)