“Doli nga mjeti dhe mbushi pistoletën”, Kapllanaj tregon versionin e tij: Pati edhe konfrontim fizik

Nga A2 CNN
16 Prill 2025, 20:56 | Kronikë

Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” me Andi Nurajn, në A2 CNN, tregoi versionin e tij të ngjarjes, një ditë pasi dy pjesëtarë të familjes së tij u arrestuan pas sulmit ndaj agjentëve të BKH-së.

“Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, një makinë civile, me 4 civilë brenda, u parkua pranë ambienteve të biznesit të familjes sonë dhe ka ngritur një dron për të filmuar. U largua dhe u kthye përsëri, duke ngritur sërish droning për të filmuar. Roja, i shqetësuar, ka njoftuar drejtorin, i cili ka dalë nga zyra, ku isha dhe unë bashkë me të, e i ka kërkuar shpjegime personave në fjalë. I ka pyetur pse ndodheshin aty. Thanë se ishin të interesuar për të blerë një pronë dhe prandaj e kishin ngritur dronin. Drejtori i tha se prona nuk ishte në shitje”, tha Kapllanaj.

Më pas, Kapllanaj tha se drejtori i bëri foto targës së makinës së këtyre personave, të cilët, sipas tij, nuk ishin identifikuar.

“Në këtë moment, ata u acaruan dhe i kërkuan që të fshinte foton që kishte bërë. Personi që ishte në timon e kërcënoi drejtorin, duke i thënë se do ta shikonte se çfarë do e gjente. Shoferi nis ta shajë e të fyejë drejtorin dhe më pas zbrita unë që të sqaroheshim. Në atë moment ata largohen. Drejtori më tha që të shkonim për të bërë kallëzim. Në komisariatin e Fierit kërkova shefin për të bërë kallëzimin. Kur po flisja me të, nipërit e mi dhe disa punonjës u larguan për në shtëpi. Pak para se të hynin në qytetin e Fierit, hasën me automjetin që kishte ardhur në kompani. Ndaluan për t’i kërkuar shpjegime se pse erdhën në kompani. Aty njëri prej personave në automjetin civil dhe e shtynë. Shoferi mbushi pistoletën dhe ua drejtoi familjarëve të mi dhe i thote që largohuni, ose do ju vras! Pastaj erdhi patrulla e policisë. U mundua të neutralizonte personin me armë në dorë. Aty u prezantuan si punonjës të BKH-së. Ky ishte i gjithë incidenti”, tha Kapllanaj.

“Më shumë ka qenë me fjalë, maksimumi ka patur ndonjë shtytje. Deri në momentin që ka ardhur Policia e Shtetit, personat në fjalë janë identifikuar si punonjës policie”, shtoi më tej ish-kryebashkiaku i Mallakastrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos