Tentativa për të vjedhur bagëtitë në një stan në fshatin Plug të Lushnjes për pak mund të kthehej në një tragjedi. Autorët kanë qëlluar me armë gjahu "çifte" ndaj pronarit të stanit duke e plagosur rëndë në kokë. Banorët e zonës kërkojnë të pajisen me armë pasi ndihen të rrezikuar nga hajdutët, që janë shtuar shumë në këtë zonë.
Vjedhjet e bagëtive dhe shpendëve në fshatrat e Myzeqesë janë kthyer në një problematikë mjaft shqetësues jo vetëm për dëmin që u sjell banorëve që i mbajnë por edhe për jetën e tyre.
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure në Plug të Lushnjës disa persona në tentativë për të vjedhur në një stan kanë qëlluar me armë zjarri, çifte pronarin duke e plagosur rëndë në kokë.
I plagosur është Flamur Mane, i cili pasi ka marrë mjekimin e parë në spitalin e Lushnjës është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin e traumës në Tiranë.
Sakaq kjo ngjarje ka rritur shqetësimin tek banorët e zonës së Plugut të cilët shprehen se vjedhjet janë rritur ndjeshëm, ndërsa kërkojnë që të pajisen edhe me armë për të mbrojtur mallin e tyre, pasi kamerat nuk po bëjnë efekt.
Ndërkaq policia e Lushnjes ka deklaruar se për plagosjen e Flamur Manes, ka shoqëruar si person të dyshuar të kësaj ngjarje 64-vjeçarin Dedë Deda. (A2 Televizion)