Gjykata e Apelit ka shpallur vendimin e formës së prerë për Ervin Salianjin, i cili akuzohet për kallëzim të rremë në dosjen "Babale", duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e kishte dënuar me 1 vit burg. Siç raporton gazetari i A2 CNN Armand Bajrami ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
“Vendimi u kundërshtua me forcë në seancën e kaluar, por sot gjykata la të pandryshuar dënimine Ervin Salianjit për veprën penale të kallëzimit të rremë. Kjo vendimmarrje është e formës së prerë”, raportoi gazetari i A2.
Ky vendim i Gjykatës së Apelit është vendimtar për mandatin e deputetit të Salianjit.
“Me këtë vendimmarrje të gjykatës së apelit është vendimtare sa i takon mandatit të deputetit Salianji. Sipas kushtetutës fajësia me vendim të formës së prerë është shkak ligjor për ndërprerjen e mandatit të deputetit. Përveç lirisë ai humb edhe mandatin e deputetit”, theksoi gazetari Bajrami.
Salianji ka ankimuar vendimin, ndërsa për dy vjet seancat nuk u zhvilluan për mungesë të avokatëve të tij.
Një ditë para këtij vendimi deputeti demokrat lëshoi në A2 CNN, akuza ndaj gjyqtarit të shkallës së parë, që e dënoi me një vit burg.
Deputeti demokrat u paraqit në gjykatë, ndërsa në mbështetje të tij ishin edhe grupi parlamentar i PD-së.
Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi vendimi i Gjykatës së Apelit është 100 orë punë në komunitet.
Në seancën e sotme avokati i Jetmir Olldashit, Indrit Sefa tha se “paraqitja e vendimit të pushimit nga krimet e rënda, vetëm tani në lidhje me këtë çështje, tregon se vendimi i shkallës së parë është i paligjshëm, dhe nuk duhet që të merret parasysh. Nuk mund të administrohet ky vendim si prove e dorëzuar nga avokati i viktimës së veprës penale, Geron Xhafa”. (A2 Televizion)