Një faks i vitit 2007 i nisur nga Ministria e Drejtësisë drejt asaj së mbrojtjes me shënimin me shkrim dore për Shkëlzen Berishën ngjalli debat në seancën e së mërkurës ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme. Ish-ministri i mbrojtjes i pandehur për shpërdorim të detyrës në dosjen Gërdeci kundërshtoi aktin e paraqitur si provë nga SPAK në proces.
“Prokuroria ka detyrën të vërtetojë që të mos bjerë letra të cilat janë fotokopje apo shënime të cilat janë të paverifikuara dhe kërkuam që ose të hidhet poshtë ose të bëhet akti i ekspertimit për sa i përket kaligrafisë, por dhe i pretendimit të zotit Bumçi për sa i përket një mashtrimi që është bërë sipas tij”, tha Mediu.
Më herët ish-ministri i drejtësisë Aldo Bumçi ka dëshmuar në proces se shënimi me shkrim dore mbi faksin në fjalë nuk ishte bërë prej tij. Ish-ministri Mediu këmbënguli se SPAK i ngarkon përgjegjësi ligjore që nuk i ka pasur.
“Unë i bëra edhe një kërkesë prokurorisë dhe gjykatës të thërrasë çdo ministër kundërshtar të Fatmir Mediut politikisht para dhe mbas Gërdecit dhe t'i pyeste a ka qenë ndonjë nga ata që është marrë me çështje e kalibrave? A ka qenë ndonjë nga ata që është marrë me çështje të liçencimit të depove të municioneve a ka qenë ndonjë nga ata i cili është marrë me përcaktimet e distancave të sigurisë e kështu me radhë”, tha ai.
Procesi ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme ndodhet në fazën e administrimit të provave shkresore. (A2 Televizion)