Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua me armë zjarri sot brenda sallës së gjyqit, ndërsa ishte në detyrë.
Në një deklaratë të fortë, gjyqtarët e Apelit shprehin dhimbje të thellë dhe solidaritet të plotë me familjen e kolegut të ndjerë, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.
“Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Trupa gjyqësore kërkon nga institucionet masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë në gjykata dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen, ndërsa paralajmëron se gjuha e urrejtjes dhe denigrimit ndaj gjyqtarëve nuk duhet të tolerohet, shkruan A2 CNN.
“Asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj gjyqtarëve nuk është shprehje lirie. Gjuha e urrejtjes ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia”, theksojnë kolegët e gjyqtarit Kalaja.
Në fund, gjyqtarët deklarojnë se pavarësisht kësaj ngjarjeje tronditëse, drejtësia nuk do të trembet: “Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.”
“Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi”, mbyllet reagimi. (A2 Televizion)