Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia për vrasjen në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se ekzekutimi i gjyqtarit është një akt terrorist që sipas tij, godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues, shkruan A2 CNN.
Teksa u shpreh ngushëllimet familjarëve të gjyqtarit të vrarë, Meta shkruan se ky krim meriton ndëshkimin më të ashpër ligjor, pasi sipas tij, ka ardhur si rezultat i inkriminimit të qeverisë me segmente të krimit të organizuar.
Reagimi i Metës:
Ekzekutimi i gjyqtarit në krye të detyrës, Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Ky krim shumë i rëndë, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor nuk është rastësor, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Kalaja dhe kolegëve gjyqtarë, shpreh bindjen e thellë se zgjimi kombëtar për të mposhtur frikën nga krimi që ka kapur shtetin është e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë e jetës dhe rikthyer shtetin e së drejtës. (A2 Televizion)