
Policia e Tiranës ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione për goditjen e posedimit të paligjshëm të armëve, duke arrestuar dy persona dhe duke sekuestruar armë zjarri, municion dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Në operacionin “Qëllimi”, Forca “Shqiponja” dhe Komisariati Nr. 4 arrestuan një 36-vjeçar me precedent penal, në banesën e të cilit u gjetën një pistoletë, një armë automatike, municion luftarak, një shënjester optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.
“Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit të koduar “Qëllimi”, arrestuan shtetasin A. Z., 36 vjeç (me precedent penal), pasi iu gjetën në banesë, 2 armë zjarri (pistoletë dhe automatike), municion luftarak, një shënjestwr optike, 2 mjete prerëse dhe 1 peshore elektronike”, njofton Policia.
Ndërsa në Krujë, në kuadër të operacionit “Kontrolli”, u arrestua një 28-vjeçar në fshatin Brret. Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit të koduar “Kontrolli”, arrestuan shtetasin F. L., 28 vjeç, në banesën e të cilit, në fshatin Brret, u gjetën 1 armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, që posedoheshin pa leje”, njofton Policia.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë në veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)