Dy të plagosur me armë zjarri në Tiranë (EMRAT dhe DETAJET)

Nga A2 CNN
3 Shtator 2024, 15:07 | Kronikë

Dy persona kanë mbetur të plagosur në Tiranë këtë të martë, njoftoi Policia e kryeqytetit. Mësohet se të plagosur kanë mbetur Kastriot Elezaj, 45 vjeç dhe Ronaldo Metushi 23 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në lokalin Fajon, i cili ka marrë emrin nga eurodeputetja Tanja Fajon e cila mbështeti Shqipërinë për liberalizimin e vizave. Bëhet fjalë 45-vjeçarin Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçarin Ronaldo Metushi, të cilët sipas të dhënave të para nuk kanë lidhje me njëri tjetrin.

Gazetari i A2 CNN Julian Kasapi i cili ndodhet në vendngjarje raportoi se 45-vjeçarin ka qenë person me precedentë penalë dhe kishte 6 muaj që ishte kthyer në Shqipëri.

“Një 45-vjecar është plagosur. Nuk mund të themi nëse ka qenë atentat apo konflikt i çastit. 45 vjeçari Kastriot Elezaj është qëlluar me armë zjarri. Ka mbetur i plagosur në këmbë. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një-22 vjeçar. Dy të plagosurit nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. 22-vjeçari dhe 45-vjeçari nuk kanë lidhje pasi atentati ka qenë në drejtim të 45 vjeçarit që dyshohet me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe kishte 6 muaj që ishte kthyer në Shqipëri. Të dy personat në këto moment janë jashtë rrezikut për jetën”, raportoi Kasapi.

Autorët mendohet se janë larguar me një automjet dhe policia ka ngritur pika kontrolli e postblloqe në dalje të kryeqytetit.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi se në territorin e komisariatit Nr.5 është gjetur e djegur një makinë që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

“Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonën për kamerat e sigurisë në biznese dhe ato publike. Në territorin e Komisariatit Nr. 5 është gjetur një automjet i djegur, që ka përputhshmëri me atë të përdorur nga autorët, janë identifikuar targat që nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal.  Vazhdojnë hetimet, janë sekuestruar 7 gëzhoja të qitura nga një armë zjarri e tipit të papërcaktuar ende. Në automjet është gjetur edhe një armë zjarri që po ekzaminohet nga grupi hetimor”, deklaroi Vocaj, siç raporton A2.

I pyetur nga gazetarët se cila është lidhja midis Kastriot Elezit (45 vjeç) dhe Ronaldo Metushit (22 vjeç), kreu i policisë së kryeqytetit tha se ka një lidhje shoqërore midis dy të plagosurve, përcjell A2.

“Ishin në të njëjtën tavolinë. Kemi evidentuar që kanë vetëm lidhje shoqërore. I riu nuk është kamerier, kanë qenë duke pirë kafe në verandën e këtij lokali. Për objektivin do të përcaktohet nga hetimi. Të paktën njëri prej tyre ka precedentë kriminalë, por ne jemi duke hetuar për background-in që të plagosurit kanë dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë.”

Sa i përket autorëve, Vocaj tha se ka qenë tre persona dhe në drejtim të Elezit dhe Metushit është qëlluar nga një makinë në lëvizje.

“Mendohet se ka në qenë tre persona, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit. Nuk janë gjeture sende të jashtëligjshme te të plagosurit. Autorët kanë qëlluar nga automjeti, nuk kanë zbritur. Ne kemi pamje filmike të mënyrës sesi ka ndodhur ngjarja dhe kemi krijuar ide mjaft të qartë të dinamikës së ngjarjes. Autorët kanë hapur zjarr nga makina është probabilitet i madh që të kenë qenë të maskuar".

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos