Mirel Çokaj, shtetasi nga Malësia e Madhe që humbi jetën në një terren të thepisur malor në Kozhnje, sipas të afërmve të tij nuk është rrëzuar në mënyrë aksidentale, siç pretendon policia, por, sipas tyre, 40-vjeçari është vrarë nga dikush atje.
Rifat Çokaj, një ish-oficer policie me banim në Amerikë, ka bindje se kushëriri i tij ruante parcelat me kanabis në një zonë të thellë të Malësisë së Madhe bashkë me 4 persona të tjerë dhe se njëri prej tyre e ka shtyrë drejt humnerës duke e vrarë Mirel Çokajn, shkruan A2.
“Mireli, në atë zonë, ka dalë për punë. Edhe policia e di se për çfarë pune. Opinioni le ta dijë se ai doli për parcelën e drogës që është mbjellë atje. Nuk e di arsyen pse policia nuk ka kontrolluar zonën, por thjesht janë mjaftuar me gjetjen e kufomës, “paketimin” e kufomës dhe dërgimin në morg. Dikush ka qenë me të për të ruajtur drogën, dyshimet tona janë se e kanë shtyrë dhe e kanë hedhur poshtë. E kanë vrarë që të mos i japin pjesën e tij”, tha Çokaj.
Rifat Çokaj ngre dyshime edhe ndaj personave konkretë, të implikuar, sipas tij, në këtë vrasje: “Personi që ka dhënë njoftimin se Mireli nuk përgjigjet në telefon, është shok apo ortak i Mirelit? Sepse, me informacionin që kam unë, janë më shumë se dy veta që janë ortakë. Nuk ua di emrat, sepse po t’ia dija i bëja publik sepse nuk pyes për askënd. Por, ai që njoftoi se Mireli nuk përgjigjej në telefon, si dinte t’i dërgonte shërbimet e policisë te kufoma? Ishte me të?”.
Sakaq, policia vijon t’i qëndrojë versionit se i ndjeri Mirel Çokaj ka humbur jetën aksidentalisht. Të pyetur mbi pretendimet e të afërmve të viktimës, Policia e Shkodrës ka pohuar se në vendin ku është gjetur viktima nuk ka parcela droge. Ndërsa në zonën që pretendohet nga kushëriri, policia nuk ka informacion për parcela droge. (A2 Televizion)