Konsumuan karamele me kanabis, ja si paraqitet gjendja e 3 motrave të mitura në Korçë

Nga Artin Halili
20 Shtator 2025, 13:06 | Kronikë

Konsumuan karamele me kanabis, ja si paraqitet gjendja e 3 motrave të

Përmirësohet gjendja e tri motrave të mitura në Korçë, të helmuara nga karamelet me esencë kanabisi.

Gjendja shëndetësore e tri motrave të moshës 3, 7 dhe 11-vjeçare, të cilat u shtruan pak ditë më parë në gjendje të rëndë pas konsumimit të disa karameleve që përmbanin substancën narkotike cannabis sativa, paraqitet dukshëm më e mirë.

Burime nga shërbimi pediatrik i spitalit rajonal të Korçës konfirmojnë për A2CNN se vajzat 7 dhe 11-vjeçare ndodhen tashmë jashtë rrezikut dhe në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë, edhe motra më e vogël, vetëm 3 vjeçe, është stabilizuar, por vijon të mbahet nën kujdes të posaçëm nga mjekët e reanimacionit.

Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi tri të miturat, pjesë e së njëjtës familje, u dërguan me urgjencë në spital pas konsumimit të produkteve të ëmbla që dyshohet se përmbanin përbërës narkotikë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar se si karamelet përfunduan në duart e fëmijëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos