36-vjeçari Safet Tata ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet për vjedhjen e një numri të lartë biçikletash në qytetin e Durrësit.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Bicycle 3”, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve, si dhe për identifikimin e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky shtetas.
Njoftimi i Policisë:
Durrës-Finalizohet operacioni policor i koduar “Bicycle 3”.
Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore një sërë vjedhjesh biçikletash në qytet.
Arrestohet autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bicycle 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit:
S. T., 36 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i 8 vjedhjeve të biçikletave, të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit, në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve, si dhe për identifikimin e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)