
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Athinë. Mediat greke raportojnë se 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuca dyshohet se ka vrarë me armë 45-vjeçaren Julieta Obzova, gjithashtu shqiptare dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas raportimeve nga mediat greke, dy trupat e pajetë u gjetën në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3”. Autoritetet greke dyshojnë se 48-vjeçari e kishte pritur 45-vjeçaren brenda makinës së tij, jashtë pallatit ku ajo jetonte së bashku me vajzën 16-vjeçare.

Kur Obzova doli nga pallati, 48-vjeçari dyshohet se doli nga automjeti, iu afrua dhe e qëlloi me armë. Gruaja u rrëzua në hyrje të ndërtesës, ndërsa menjëherë më pas Allmuca dyshohet se drejtoi të njëjtën armë nga vetja dhe u qëllua në kokë.
Arma u gjet pranë trupit të 48-vjeçarit, një element që sipas policisë përforcon pistën se ai vrau fillimisht 45-vjeçaren dhe më pas kreu vetëvrasje. Obzova kishte plagë me armë zjarri në trup dhe dyshohet se ishte qëlluar edhe në fytyrë.

Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton që të dy të kenë qenë të martuar. Ata kishin pasur një marrëdhënie, ndërsa po hetohen rrethanat dhe motivi i krimit. Paraprakisht dyshohet për motive xhelozie.
Në fokus të hetimeve është edhe aktiviteti i 48-vjeçarit në rrjetet sociale. Allmuca kishte publikuar foto ku pozonte me armë në duar, ndërsa policia po verifikon nëse armët që shfaqen në këto fotografi kanë lidhje me revolverin e gjetur në vendin e ngjarjes.

Një tjetër element që po verifikohet lidhet me një denoncim të bërë nga 45-vjeçarja në korrik të vitit 2024. Sipas medias greke “Protothema”, ajo ishte paraqitur në Komisariatin e Akropolit dhe kishte denoncuar ish-partnerin, pasi pas ndarjes nuk i kishte kthyer një motor. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse personi i denoncuar atëherë ishte Altin Allmuca.
Hetuesit po mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë dhe të dhënat nga komunikimet telefonike të dy shqiptarëve, për të zbardhur motivin dhe atë që ndodhi përpara krimit. (A2 Televizion)