
Edhe pse kanë kaluar 40 orë nga nisja e zjarrit te tregu te "5 maji" ende ka vatra aktive. Në pamjet e mbërritura në A2 CNN shihen vatrat e zjarrit dhe tymi në rrënojat e tregut.
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun pranë ish-uzinës “Dinamo”, në rrugën “5 Maji” mbrëmjen e 8 janarit në Tiranë shkrumboi gjithçka.
Zjarri, i cili nisi në një magazinë, u përhap me shpejtësi, duke prekur mbi 100 biznese, malli i të cilave u kthye në shkrumb e hi, pavarësisht se forcat zjarrfikëse luftuan për më shumë se 6 orë për të neutralizuar flakët.
Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.
Burime nga grupi hetimor i thanë televizionit A2 CNN se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, e cila mund të ketë ardhur nga kabllot e paneleve diellore.
Të gjithë tregtarët, objektet e të cilëve u dogjën, i kishin ato me qira. Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti që subjektet nuk janë të siguruara, pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme të sigurisë, për shkak se janë ndërtuar në kapanone. Për këtë arsye, tregtarët nuk mund të përfitojnë dëmshpërblim, edhe pse dëmi i pësuar është kolosal, ndërsa vlera totale e tij arrin deri në 50 milionë euro. (A2 Televizion)