Është ekstraduar sot nga Kosova i shumëkërkuari Arben Lamçja, pjesë e grupit të Çopjave në Elbasan. Ai akuzohet për një seri akuzash si sigurim të kushteve e mjeteve për të kryer vrasje dhe për pastrim të parave nga veprimtari kriminale, shkruan A2 CNN.
Lamçja u arrestua në Kosovë pas operacionit të koduar “Gordonët”. Ai dyshohet se është i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga një prej grupeve më të rrezikshme në Elbasan. I strehuar në një apartament në Prishtinë, Lamçja, që njihet si Arben Dobrova, por që mban si identitet tjetër edhe emrin Durim Plaku, mendoi se kishte arritur t’i shpëtonte prangave të operacionit ‘’Plumbi i Artë’’ që në vitin 2022, por u kap në një bar pranë banesës.
Ai dyshohet si pjesë aktive e grupit që drejtohej nga vëllezërit Çopja në Dubai. Lamçe dyshohet i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas prokurorisë së posaçme vëllezërit Çopja dhe më konkretisht Hajdar Çopja i njohur dhe si “Dari i Elbasanit” kishte porositur në kohë të ndryshme 22 atentate dhe për të mbaruar punë përdorte Lamçen, shkruan A2 CNN.
6 prej tyre përfunduan me ekzekutime, përfshirë masakrën e trefishtë në Bradashesh 29 dhjetorin e vitit 2018. Aty mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibejt, 34 vjeçari Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Për eleminimin e vëllait tjetër, i arrestuar tashmë, Erion Alibejt, u sponsorizuan 4 atentate, por që nuk u arritën të finalizoheshin ndërsa grupi i Çopjave ka tentuar dhe dy herë të eliminojë Nuredin Dumanin, të penduarin e drejtësisë.
“Operacione të njëpasnjëshme kapjeje dhe ekstradimi po kryhen në kuadër të operacionit policor të posaçëm, të koduar “Para drejtësisë”.
I akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe për pastrim të parave nga veprimtari kriminale, ekstradohet nga Kosova, 50-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, A. L., 50 vjeç.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. L. ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit N. M., për llogari të shtetasit F. G. alias F. C.. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale”, njofton policia. /A2 CNN. (A2 Televizion)