Halla e Erjon Bobës, 15-vjeçarit që mbeti viktimë i një sulmi me thikë në Durrës, Barie Çupi, ka rrëfyer në emisionin ‘Puls’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN orët e fundit të nipit të saj.
Çupi tha se familja e Erionit, duke parë gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, po bënin përpjekje që ta zhvendosnin 15-vjeçarin në një spital me kushte më të mira.
Ajo shtoi se spitali i Durrësit ku ishte shtruar 15-vjeçari i plagosur nuk kishte kushtet e duhura për t’i shpëtuar jetën të miturit.
Sipas Çupit, në spital nuk punonin ashensorët, të cilët ishin të nevojshëm kur 15-vjeçarit i bëhej rezonanca.
Çupi shtoi gjithashtu se gjatë kohës që Erioni kishte qenë në sallën e operacionit, familjarët e tij i kishin thënë se në spital ikën dritat për rreth 3 minuta, ç’ka sipas saj mund të ketë ndikuar në vdekjen e të miturit.
“Një mikes time gazetare i kam dërguar një letër. Kur Erioni ishte shumë rëndë, ne po përgatisnim një dokumentacion për ta lëvizur diku tjetër. Unë isha në kontakt me një gazetare të njohur, të cilës i kam kërkuar që çështja të bëhej më mediatike, në mënyrë që ta lëviznim. Por Erioni nuk na priti, nuk ia doli. Në letrën që i kam dërguar kësaj gazetareje pasi ndodhi ngjarja, i kam thënë ‘Erioni na la’.
Erioni pati 2 fatkeqësi, e para që u plagos me thikë nga bashkëmoshatari i tij dhe e dyta që nuk u gjend në një spital me standarde më të mira për t’u shëruar. Spitalet rajonale lënë për të dëshiruar në të gjitha drejtimet. Mjekët nuk kanë çfarë bëjnë, mjekët janë heronj, por duke qenë në një spital jo me standarde, përballë disa plagëve të rënda, mendoj se Erioni ka pasur fatin e keq aty. Nuk ka pasur ashensor për ta zbritur, pasi është dashur që atij t’i bëhej rezonanca. Dhe ajo që është më e rëndë, unë vetë nuk kam qenë personalisht, por nga familjarët e Erionit më është thënë se janë fikur dritat kur prindërit kanë qenë në korridor.
Nuk di sa emergjente ka qenë në sallën e operacionit fikja e dritave. Por kartelën e Erionit unë e kam dërguar te mjekë jashtë shtetit dhe është thënë se Erioni ka pësuar bllokim të trurit, e cila vjen përmes mungesës së oksigjenit. Ai edhe nëse do e kalonte rrezikun për jetën, ishte totalisht i bllokuar. Pra dritat kanë ikur kur ai ka qenë në sallën e operacionit. Në korridoret ku ishin prindërit, nuk kishte drita për 2-3 minuta. Si mund të punojë një bombël oksigjeni pa korrent”, tha mes të tjerash Çupi. (A2 Televizion)