“Të gjithë punonjësit e burgjeve janë në monitorim të vazhdueshëm dhe iu nënshtrohen trajnimeve të specializuara për fushën.”
Kjo ishte përgjigja e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Femi Sufaj ndaj akuzave të bëra më herët nga gazetari Artan Hoxha, rreth futjes së eskortave në burgje.
I pyetur gjatë një bisede me Andrea Dangllin në “Off the Record” në A2 CNN, Sufaj shtoi se gazetari në fakt duhet të ndiqet penalisht për deklaratat e bëra, pasi sipas tij, bëhet fjalë për shpifje.
“Unë e di që në fakt është në hetim. Por, për këtë që ka thënë duhet të ndiqet penalisht. Sepse është një shpifje e ulët, që nuk mund ta bësh ndaj kërrkujt, sepse ata që punojnë atje janë njerëz, kanë dinjitet, kanë familje.”
Në një kohë kur shumë pikëpyetje janë ngritur rreth asaj që po ndodh brenda mureve të burgjeve tona, nga të cilat urdhërohen vrasje dhe nga ku korrupsioni dhe influenca e jashtme duket se minojnë çdo rregull, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, thekson se sistemi në institucionet e vuajtjes së dënimit, në fakt ka përmirësime.
“....Sidomos në drejtim të rekrutimit të punonjësve. Punonjësit në radhë të parë zgjidhen me integritet, pasi përzgjidhen ata u nënshtrohen trajnimeve të specializuara për fushën. Janë në monitorim të vazhdueshëm..Ka rregulla standarde që, gjithandej je i monitoruar me kamera,” shtoi ai.
Kujtojmë se gazetari Artan Hoxha ka deklaruar disa ditë më parë, se ka disa mënyra të ndryshme që disa persona, përfshirë këtu edhe figura të njohura të showbizz-it, përdorin për t’u futur në burgje.
Sipas tij, ka vajza si hyjnë në institucionet e vuajtjes së dënimit si psikologe ose si trajnuese dhe në fakt bëjnë eskortën. (A2 Televizion)