Ka njerëz që policia i kërkon për disa ditë, të tjerë për vite, por dhe ata që kthehen në një lloj legjende urbane. Njerëz që shfaqen në dosje, në përgjime, në dëshmi ...
Sot do të hyjmë në botën e tyre, në botën e personave më të kërkuar nga policia shqiptare. Disa prej tyre dyshohen për vrasje, disa për porositje të ekzekutimeve, të tjerë të dënuar me burgim të përjetshëm por në mungesë. Dhe disa janë zhdukur aq gjatë, sa pyetja nuk është më vetëm, ku janë? Por, si kanë mundur të humbasin në hije kaq gjatë?
Në gushtin e vitit 2026, dy lajme tërhoqën vëmendjen e publikut. Dy persona që kishin kaluar muaj në kërkim përfunduan në pranga edhe pse profile krejt të kundërta nga njëri-tjetri. I pari ishte Ylli Zalla dhe i dyti, Ergys Agasi. Dy histori dhe dosje të ndryshme, por me një element të përbashkët, të dy kishin arritur t'u shpëtonin autoriteteve për një periudhë kohe. Zalla u arrestua në një zonë të pyllëzuar në rrethinat e Krujës, pas një operacioni ku morën pjesë RENEA, Forcat Operacionale dhe strukturat lokale të policisë. Ai ishte shpallur në kërkim prej nëntorit 2025.
Vetëm nëntë ditë më vonë, një tjetër operacion, këtë herë në Durrës, Ergys Agasi.
Ishte shpallur në kërkim prej SPAK që prej dhjetorit 2025.
Më 26 gusht 2026, ai u arrestua në zonën e Plepave. Sipas prokurorisë së posaccme, në momentin e arrestimit ai shoqërohej nga një ish-punonjës policie, Uljan Shpataraku i cili u vu gjithashtu në pranga.
Hetimi ndaj Agasit përfshin akuza të rënda, mes tyre grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, çështje të lidhura me tendera dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Megjithë ndalimet e bujshme, vendndodhja e të tjerë emrave mbetet ende enigmë madje prej vitesh.
TALO ÇELA – NJERIU QË U ZHDUK
Nëse ka një emër që është kthyer në simbol të arratisjes nga drejtësia është Talo Çela, 55 vjeçari nga Bradasheshi i Elbasanit, i njohur në botën kriminale me nofkën “Lala”.
Emri i tij lidhet me disa prej dosjeve më të rënda të viteve të fundit, vrasje, porosi, grabitje dhe sipas akuzave të prokurorisë, lidhje me grupe kriminale. Një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e tij është Nuredin Dumani, dikur bashkëpunëtor i Talos, më pas armik dhe në fund I penduar i drejtësisë.
Dëshmitë e tij ndihmuan prokurorët të rindërtonin një pjesë të veprimtarisë së botës kriminale shqiptare. Talo Çela akuzohet për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës. Ai dyshohet për masakrën e Bradasheshit, ku u ekzekutuan, Indrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk në 28 dhjetor 2018. Talo Çela kreu edhe ekzekutimin makabër të Fatmira Dedës, po ashtu edhe vrasjen e Andi Zylyfit.
Emri i tij është lidhur gjithashtu me ngjarje të tjera të rënda.
Një tjetër episod e bëri atë një nga personat më të kërkuar të vendit, grabitja në pistën e aeroportit të Rinasit në prill 2019.
Por sot, pyetja më e madhe është tjetër, ku është Talo Çela?
Policia nuk ka një përgjigje zyrtare përfundimtare. Madje kanë qarkulluar edhe versione se ai mund të jetë vrarë. Por pa një provë që e konfirmon këtë, për autoritetet ai mbetet person në kërkim, madje i shumëkërkuar.
Dhe kjo është një nga karakteristikat më të frikshme të një fantazme. Edhe kur qarkullon lajmi se mund të ketë vdekur, ajo vazhdon të ekzistojë në sistem.
FATMIR HYSENI – “DOQJA”
Vlora, një qytet që për dekada ka qenë një nga hartat më të nxehta të përplasjeve kriminale në Shqipëri. Dhe mes emrave që kanë dalë në dosjet më të rënda është edhe Fatmir Hyseni, edhe pse emri i tij i vërtetë është Elidon Musaj. Në botën e krimit njihet me nofkën, Doqe.
Nga blutë është i cilësuar si nga më të rrezikshmit i cili i ka shpëtuar shumë operacioneve të policisë. Por një nga arsyet pse emri i tij është kaq i rëndësishëm në këtë histori është Santiago Malko. Në janar 2026, GJKKO e dënoi në mungesë Fatmir Hysenin me 25 vite burg për rolin që prokuroria i atribuoi në vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Si personazh është I njohur për forcat e rendit edhe më herët. Ai është dyshuar nga policia si kundërshtar I grupit të Edison Harizaj dhe Viktor Ymerit.
Në vitin 1999 ai u akuzua si pjesëmarrës në vrasjen e vëllait të Viktor Ymerit në Vlorë. Më tej në vitin 2019 emri I tij doli në atentatin ndaj Inez Hajrullës në 10 maj 2019 në Vlorë.
Hajrulla njihet si mëkëmbësi i Edison Harizajt me nofkën faqedjeguri, nip i Ymerit Dhe i vrarë në 6 nëntor 2018 në dalje të Durrësit.
Gjithashtu Fatmir Hyseni akuzohet nga SPAK edhe per sigurim të kushteve për të kryer vrasje, në dëm të Erigers Mihasit.
Ky është Doqja, të cilin gjithmonë policia ka deshtuar ta arrestojë dhe të gjitha operacionet janë dekonspiruar. Ai konsiderohet nga policia kriminale si nje nga qitesit dhe vrasesit me pagese me te rrezikshem ne qarkullim.
ALTIN NDOCI- VRASËSI QË NUK E MBAN AS BURGU
13 janar 2026, Durrës. Një i burgosur nxirret nga burgu për kontrolle mjekësore, ai quhet Altin Ndoci 39 vjeç, por ajo që ndodh më pas duket si skenar filmi.
Arratiset nga ambientet e spitalit gjatë vizitës te mjeku.
Kamerat e regjistruan duke dolë me vrap nga ambientet e spitalit dhe duke u larguar me me një makinë që ishte jashtë rrethimit. Por kush është Altin Ndoci?
SPAK e ka lidhur emrin e tij me disa prej dosjeve të rënda të krimit të organizuar. Në dokumentet e cituara nga Drejtoria e Burgjeve, ndaj tij përmenden akuza që përfshijnë vrasje në rrethana cilësuese dhe pjesëmarrje në organizim kriminal.
Emri i tij ka dalë në skenë nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe nga bisedat në SKY. Gjithashtu konsiderohet si një person I instruktuar nga Talo Çela.
SPAK e ka akuzuar për pjesëmarrje në “Masakrën e Bradasheshit”, vrasjen Klevin Bahos dhe plagosjen e vëllait të tij, Aldo (Aleksandër) Baho në 2019. Altin Ndoci akuzohet gjithashtu edhe për grabitjen në pistën e Aeroportit “Nëne Tereza”, në Rinas, më 9 prill 2019,
Ndoci ishte në paraburgim që prej vitit 2020, por njeriu që duhej të ishte tashmë pas hekurave, u kthye papritur në një nga personat më të kërkuar.
PREKË KODRA – SNAJPERI
Ka vrasës që duan të shihen dhe ka të tjerë që duan të mos I kapë syri I njeriut apo kamera. Prekë Kodra është një nga emrat që autoritetet e kanë lidhur me këtë profil.
Konsiderohet si snajperisti më i rrezikshëm në qarkullim. Ne boten e krimit Kodra cilesohet si gjuajtesi me precizionin me te larte.
Në materialet e hetimit të SPAK, ai është përmendur në dosjen “Metamorfoza”. Në përgjime të zbardhura nga hetimi, emri i tij është lidhur me Suel Çelën dhe me një plan të dyshuar për eliminimin e Ardian Çapjas.
Emri i Kodrës është përmendur gjithashtu në raportime lidhur me një plan të dyshuar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në korrik 2025 policia e shpalli Prekë Kodrën në kërkim për ndërtimet pa leje në Theth, te cilat u denoncuan publikisht nga vete kryeministri Rama.
Por Prekë Kodra vijon të jetë i pakapshëm dhe një nga më të kërkuarit e policisë.
ELJON HATO – “UJKU” I VETMUAR
Në korrik 2023, një tjetër emër del në kërkim, Eljon Hato, i njohur edhe si Esmeraldo Hato. SPAK e ka akuzuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, në bashkëpunim. Eljon Hato, akuzohet për Vrasjen me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim në dëm të Taulant Pepës, ngjarje e ndodhur më 21 shkurt 2021 në Shkodër. Policia zhvilloi disa operacione për kapjen e tij, por pa sukses. Ndërsa vetë Eljon Hato, ndonëse në arrati, nuk ka qëndruar i fshehur, thjeshtë për t’i shpëtuar prangave. Përkundrazi, akuzohet se ka vijuar aktivitetin e tij kriminal, të paktën në dy raste për të cilat ai po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Emri i tij, ndonëse në arrati, doli në skenë në dy ngjarje kriminale në Shkodër. Në përplasjen me armë që ndodhi në Bushat më 23 gusht 2024 dhe në masakrën e Dobraçit që ndodhi më 30 tetor 2024, ku u përfol se mbeti edhe i plagosur edhe pse asnjëherë e vërtetuar me prova nga autoritetet. Për fatin e tij nuk dihet ende asgjë, ndërsa vitet e fundit i ka shpëtuar disa herë operacioneve të RENEA-s.
IBRAHIM LICI – “FANTAZMA”
Një person e ka marrë këtë koncept deri në nofkë, Ibrahim Lici, “Fantazma”, vetëm 33 vjeç. Me një përgatitje të jashtëzakonshme fizike dhe ushtarake, Lici në botën e krimit ka marrë pseudonimin "Fantazma", per shkak se ai shfaqet vetem aty ku ai kerkon te jete dhe i zhduket policise ne cast.
Emri i tij doli për herë të parë në skenë në vitin 2017 me serinë e gjobave ndaj bizneseve në Shkodër. Policia zhvilloi operacion duke arrestuar një grup personash, mes tyre edhe Ibrahim Licin, por që më pas u la i lirë. U vu sërish në pranga në Turqi në vitin 2023 dhe më pas lirua, pasi u refuzua ekstradimi.
Kundërshtarët me te medhenj te të tij konsiderohen fisi Bajri dhe Bilali. Ish-miq të Licëve dekada më parë. Ibrahim Lici është akuzuar edhe si i përfshirë në atentatin ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali (babai dhe xhaxhai i kampionit të boksit Astmer Bilali), ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019.
U shpall në kerkim policor edhe per vrasjen e Endri Mustafës në vitin 2021 te lagja “Livadhet”. Pas kësaj ngjarje Ibrahim Lici u zhduk dhe për herë të fundit u shfaq më 30 tetor 2024 ne masakren e Dobracit ku u ekzekutua vellai i tij Hamzai dhe Arlind Bushati. Ibrahim Lici ishte ne makine dhe i shpetoi plumbave, ai u shfaq ne nje moment ne vendin e ngjarjes i gjakosur, por me pas u zhduk. Policia ka zhvilluar kontrolle te shumta per ta kapur, por deri më sot për policinë mbetet vetëm një "Fantazmë" qe zhduket ne cast dhe shfaqet atehere kur nuk e pret askush.
SUEL ÇELA – NJË EMËR NË QENDËR TË NJË ORGANIZATE
38-vjeçari Suel Çela alias Marjus Lulaj karrierën e tij kriminale e ka nisur në vitin 2006 në Elbasan. Në atë kohë, vetëm 18-vjeç, ai u arrestua si i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të Roland Mustës. Por gjykata e shpalli të pafajshëm.
Në shtator të vitit 2017, Suel Çela u bë i njohur pas një përplasjeje me Policinë e Elbasanit në hyrje të tregut agro-ushqimor të qytetit. Gjykata e Elbasanit e shpalli të pafajshëm për mungesë provash, ndërsa një person tjetër u dënua si autor i ngjarjes.
Suel Çela u rikthye fuqishëm në vëmendje në vitin 2022, kur u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ai akuzohet si porositës i disa atentateve, mes tyre atentati i dështuar i 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës.
Në nëntor 2024, SPAK I vendosi një tjetër masë sigurie “arrest me burg”. Hetimet zbuluan edhe përplasjen mes Suel Çelës dhe grupit të njohur si “Çapjat” në Elbasan, konflikt që konsiderohet ndër më të fortët mes grupeve kriminale në qytet në vitet e fundit. Një nga ngjarjet më të rënda ishte atentati ndaj Ardian Çapjës në vitin 2020, ku ai mbeti i plagosur rëndë.
Aktualisht, Suel Çela vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare.
-HAJDAR BAKO (HYSA) (ÇOPJA)- I SHUMËKËRKUARI I DUBAIT
Hajdar Çopja, 42 vjeç nga Elbasani, në gusht të vitit 2024 është shpallur në kërkim nga SPAK I akuzuar për përfshirje në një nga organizatat më të fuqishme të trafikut të kokainës. Hetimet e SPAK tregojnë se Hajdar Çopja është pjesë e një grupi kriminal të drejtuar së bashku me vëllain e tij, Franc Çopja, i dënuar në Belgjikë për vrasje. Sipas SPAK për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve, nëpërmjet vrasjeve me pagesë të personave. SPAK organizatën e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, të cilën e lidh me disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale në vend. Të paktën 6 persona të vrarë, 14 të porositura dhe një grabitje 4.6 mln euro në Rinas janë disa prej krimeve. Një ndër to është vrasja e 29 dhjetorit 2018, e njohur si Masakra e Bradasheshit, kur u eliminua Endrit Alibej dhe 2 persona të tjerë, vrasje e cila u pasua me urdhërimin dhe të eliminimit të disa personave të afërm të tij.
Hajdar Çopja u arrestua 3 vite më parë në Dubai, por më pas u la i lirë dhe ende nuk dihet për vendodhjen e tij edhe pse SPAK e kërkon më ngulm prej dy vitesh.
ELVIS DOÇI- “VISI I POJËS”
Elvis Doçi, nga Durrësi, është nipi i Xhevdet Troplinit, i njohur si “Poja”. Prej disa vitesh aktiviteti i tij ka qenë nën vëzhgimin e autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, por pamja e tij nuk ishte zbuluar asnjëherë. Vetëm pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, autoritetet kanë mundur të sigurojnë gjurmë konkrete.
Dumani e përshkruan Visin e Pojës si një figurë kyçe në botën e krimit të organizuar në Shqipëri, duke e konsideruar atë një negociator të aftë në fushën e trafikut të drogës.
Përgjimet e operacionit “Ura” zbuluan se Visi i Pojës ka qenë një nga trafikantët më të rëndësishëm të drogës në vend.
Kur SPAK në banesën e tij zhvilloi kontrolle iu gjetën 3 mln euro cash të fshehura në një fuçi.
Që prej 17 majit 2024, Doçi është në kërkim nga SPAK dhe autoritetet kanë intensifikuar përpjekjet për kapjen e tij, por asnjëhere me rezultat.
ERJON LLAPUSHI- I AKUZUARI ME DEDEKTIVË PRIVAT
Jo çdo fantazmë policie është pjesë e një organizate ndërkombëtare. Disa histori janë shumë më të zakonshme dhe pikërisht për këtë ndoshta edhe më të frikshme. Erjon Llapushi, në vitin 2021, ai u përfshi në një ngjarje të rëndë në një lokal në Elbasan. Një konflikt për një tavolinë përfundoi me vrasjen e kamarierit Gazment Kurmaku. Për këtë ngjarje 38-vjeçari Llapushi është dënuar me 11 vite burg.
Në vitin 2019, Erjon Llapushi u akuzua për gjobëvenie ndaj një biznesi në Pogradec. Pavarësisht se ishte arrestuar më 2020, nuk dihen rrethanat se si Llapushi ka arritur të dalë nga qelia. Edhe më parë është akuzuar nga policia për plagosje dhe tentative vrasje. Llapushi konsiderohet nga policia një person me rrezikshëmri të lartë dhe i ka shpëtuar disa herë operacioneve të RENEA-s. Madje Llapushi arriti të punësonte dedektivë privat për parë nëse kishte përgjues në banesën e tij.
ENDRIT DOKLE – NGA BURGU TE I SHUMËKËRKUAR
Dhe pastaj kemi një kategori tjetër, njerëzit që drejtësia mendonte se i kishte mbyllur njëherë e përgjithmonë. Endrit Dokle, ish-anëtar i Bandës së Durrësit. Një emër që lidhet me një nga grupet kriminale më të njohura të historisë së tranzicionit shqiptar.
Dokle ka qenë më parë i dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh të kryera në kuadër të bandës së Durrësit. Gjatë kohës që ndodhej në qeli, Dokle mori një tjetër dënim, për trafik droge, pasi u provua se drejtonte nga qelia një grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë ai është liruar në janar të vitit 2020. Indrit Dokle, ish- anëtar i “Bandës së Durrësit”, ka qene i akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Ai ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën, njeriun që sipas Prokurorisë e krijoi atë, pati një armiqësi të hapur për vite me radhë.
Dokle u shpall në kërkim nga SPAK në maj të vitit 2024 kur u goditën 4 grupe kriminale. Endrit Dokle akuzohet nga prokuroria e posacme për sigurim te kushteve per të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin.
TORI XHECUKA (ALIAS HEKTOR XHECUKA)- VRASËSI QË NUK SHIHET
Tori alias Hektor Xheçuka, 36 vjeç, është një nga emrat më të përfolur të botës së krimit dhe konsiderohet nga policia si vrasës me pagesë. Ai është shpallur në kërkim në vitin 2024 nga Prokuroria e Posaçme pas zbërthimit të bisedave në Sky ECC. Xhecuka akuzohet nga SPAK për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personve, e mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e shtetasve, Durim Bami dhe Ervin Kodra, e ndodhur në datën 4 nëntor 2020 në qytetin e Tiranës. Xheçuka akuzohet edhe per “Vrasje në rrethana të tjera cilësues”, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave në dëm të shtetasit, Hamza Terziu dhe familjarëve të tij, e mbetur në tentativë.
AUREL HOXHA- MASAKRA PËR HAKMARRJE
Aurel Hoxha u shpall në kërkim nga SPAK në vitin 2025 pasi dyshohet si personi që ka porositur rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Klevis Lleshit. 24-vjeçari u gjet i groposur në Mamurras rreth 2 vite e gjysmë pas zhdukjes së tij.
Aurel Hoxha ka marrë hak për vrasjen e vëllait të tij Agim Hoxha në vitin 2012 në Angli, krim i cili krye Arben Lleshi, ky i fundit i ekzekutuar në burgun e Peqinit më 15 Dhjetor 2023.
I pari që u ekzekutua për hasmëri ishte Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Ai u vra më 30 tetor të vitit 2013. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi, xhaxhai i Klevis Lleshit. Në nëntor të vitit 2017 u rrëmbye dhe u zhuk Artan Lleshi, kushëri tjetër i Arben Lleshit, rrjedhimisht edhe i Klevis Lleshit.
Në tetor 2025 të shumëkërkuarit Aurel Hoxha, SPAK sekuestroi pasuri të llogaritura në vlerë rreth 5 milionë euro në pronësi të tij.
ARMAND SHAKAJ-VRASËSI I SHOKUT
Më 4 qershor 2026 Armand Shakaj ekzekutoi mikun e tij Eglant Koçin me plumb në kokë në lokalin dhe zyrat e tij pranë shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë. Armand Shakaj i njohur me nofkën “Mand dhelpra”, të nesërmën më 5 qershor realizoi edhe zhdukjen e trupit, duke përdorur një plan të mirëmenduar në detaje si një vrasës gjakftohtë. Ai futi trupin e pajetë të Koçit, në makinë e tij tip “Porche”, të cilën e dërgoi me karrotrec deri në fshatin Ibë, me qëllim humbjen e gjurmëve. Armand Shakaj e çoi planin e tij kriminal deri në fund, duke shkuar më makinë deri në pikën më të lartë, në Majën e Korrës aty ku hodhi edhe trupin e pajetë të Eglant Koçit. Policia ka kryer disa operacione për kapjen e tij por pa rezultat.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pasi ka eliminuar mikun e tij, Shakaj ka ndryshuar edhe pamjen për t'u mos u njohur madje perdor edhe maska silikoni. Pas krimit ai është fshehur në rrethina të Elbasanit duke qëndruar në hotele dhe apartamente me qira ditore duke paraqitur dokumente fallso identifikimi nëse i është kërkuar.
Shakaj ka qëndruar vetëm me qira ditore dhe nuk ka lëvizur me mjete personale por me taksi. Dyshohet se gjatë kësaj periudhe është fshehur edhe në zonën e Peqinit dhe Cërrikut me të njëjtën metodë duke qëndruar në hotele dhe apartamente me qira ditore dhe duke lëvizur me taksi.
Kur hetuesit kanë rënë në gjurmë të telefonit të tij celular dhe kanë kuptuar se sinjali i tij pulsonte në qarkun e Elbasanit, janë organizuar operacione për kapjen e tij, por Shakaj ka humbur sërish gjurmët duke u larguar nga qarku i Elbasanit.
Shakaj vijon të jetë në arrati, ndërsa policia ka dyshime se ai ndihmohet për t'u fshehur nga persona të afërt me të, me të cilët mban edhe kontakte.
ERALDO FIZI - VRASËSI I DASHURISË
Prej 11 marsit 25 vjeçari Eraldo Fizi është shpallur në kërkim nga policia për dhunë në famije dhe shkaktim i vetëvrasjes, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, Xhuana Nikollaj, e cila i dha fund jetes duke konsmuar fostoksine.
Mësohet se Fizi dhe Nikollaj ishin martuar në qershor të vitit 2025, por për shkak të konflikteve ishin ndarë pas tre muajsh.
Ndërkohë familjarët e së resë deklaruan se 25-vjeçarja kishte shenja dhune në trup. Nje nate para se te vetevritej e reja ishte dhunuar nga Fizi.
Policia ka ushtruar disa kontrolle per kapjen e tij por pa rezultat. Fizi dyshohet se fshihet ne Mal të Zi por herë pas herë vjen edhe në Shqipëri në mënyrë ilegale duke u fshehur në Lezhë. Policia ka qene shume here prane arrestimit te tij por operacionet jane dekonspiruar.
ATA QË JANË FSHEHUR PËR DEKADA
Por ka edhe një listë tjetër, atë që tregon se kjo nuk është vetëm histori e krimit modern. Sepse disa persona janë në kërkim prej dekadash.
-MISIR TARE, 66 VJEÇ, 33 VITE NE ARRATI
Misir Tare kryeson këtë listë prej 33 vitesh ne kerkim. Në datën 30 maj 1993, në fshatin Pashalli, Berat, shtetasi Misir Tare ka kryer vrasjen e shtetases L. T, bashkëshortese së tij dhe të prindërve të saj, shtetasit Xh. D dhe A. D. Misir Tare është dënuar me burgim të përjetshëm.
-FLAMUR NDINO, 59 VJEÇ, 31 VITE NE ARRATI
Në datën 4 qershor 1995, në qytetin e Fierit, shtetasi Flamur Ndino, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka rrëmbyer me qëllim trafikimi fëmijën e mitur J. L., 3 vjeç, banues në Fier. Shtetasi Flamur Ndino është dënuar me burgim të përjetshëm dhe ndodhet prej 31 vitesh në kërkim.
-SOKRAT RUDA, 69 VJEÇ, 31 VITE NE ARRATI
Prej 31 vitesh në kërkim. Në datën 8 qershor 1995, në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, shtetasi Sokrat Ruda ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta xhelozie shtetasin Z. D.
-JASHAR BEGANI (BAGAMI), 74 VJEÇ, 29 VITE NE ARRATI
Begani ndodhet në kërkim prej 29 vitesh. Në datën 21 korrik 1997, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, Jashar Begani (Begami) ka vrarë dy shtetase A. L. (B.) dhe Z. K.
-ISMAIL ÇELA, 67 VJEÇ, 29 VITE NE ARRATI
Ismail Çela eshte I vetmi per te cilin policia e shtetit nuk ka as foto dhe as gjurme te gishtave.
Në vitin 1997 Ismail Çela ekzekutoi me breshëri plumbash, në sy të dy fëmijëve të vegjël, bashkëshortët Xhevahir dhe Skënderie Çela si dhe vajzën e tyre të mitur Roza,13-vjeçe. Një ngjarje e rëndë, e cila u pasqyrua edhe në median e shkruar dhe atë vizive. Vrasësi, Ismail Cela, i dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë, nga gjykata e Pogradecit në vitin 1998 jeton ende në arrati që prej vitit kur kreu krimin. Autori u pa nga banorët dhe u mësua se ishte fqinji i tyre, ku pas një konflikti banal me djalin e çiftit të ndjerë, kishte vendosur të merrte hak dy javë më pas, duke kryer krimin makabër. Bashkëshortët që u vranë në tokat e tyre ishin prindër të 8 fëmijëve, ku fatkeqësisht 7 prej tyre mbetën jetim dhe rritën njëri-tjetrin.
-DRITAN SYZIU (NDOI), 55 VJEÇ, 26 VITE NE ARRATI
Dritan Syziu ishte pjesë e bandës së Mirditës. Në vitin 2000, ai bashkë me disa persona të tjerë qëlluan për vdekje një punonjës policie si dhe plagosën tre të tjerë. Ngjarja për të cilën Syziu u dënua me burgim të përjetshëm ka ndodhur në Mirditë, ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë Gjon Paçuku.
-ALBAN BAFTJARI, 48 VJEÇ, 25 VITE NE ARRATI
Në datën 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, shtetasi Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e shtetasit Xh. B., për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë shtetaset Sh. B., S. B. dhe shtetasin Xh. B., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.
ALTIN (PETRIT) ARAPI (BERZAT), 55 VJEÇ, 23 VITE NE ARRATI
Altin Arapi ndodhet prej 23 vitesh ne kerkim. Ai është i njohur si anëtar i grupit “Hakmarrja për Drejtësi”. Arapi akuzohet për vrasjen e Genci Sinës, shoferit të ish-prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku, ngjarja e ndodhur në 30 Shtator 2003.
-ARTUR KULICI, 47 VJEÇ, (VRASJE NË RRETHANA CILËSUESE/BURGIM I PËRJETSHËM)
Në datën 6 mars 2013, në një lokal nate në Tiranë, shtetasi Artur Kuliçi, pas një konflikti me disa persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri duke rrezikuar jetën e disa personave dhe si pasojë ka mbetur e vrarë me armë zjarri shtetasja Sonila Tafa.
-BARJAM BOCI, 33 VJEÇ, LAZARAT (VRASJE E PUNONJËSIT TË POLICISË/BURGIM I PËRJETSHËM)
Boçi është i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa ndodhet prej 11 vitesh në arrati. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e policit Ibrahim Basha në Lazarat më 24 qershor të viti 2015, ku Boçi ishte pjesë e grupit që qëlluan në drejtim të Policisë.
ÇFARË E BËN NJË NJERI “FANTAZMË”?
Por çfarë i bën këta njerëz kaq të vështirë për t'u kapur? Nuk ka një përgjigje, dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja. Disa kanë para, disa kanë njerëz, disa kanë armë, disa kanë kontakte jashtë vendit, disa përdorin dokumente false, disa ndërrojnë banesa, disa lëvizin nga një qytet në tjetrin, disa mund të kenë mbështetje nga njerëz që i rrethojnë dhe disa thjesht kanë fat.
Megjithatë jo gjithnjë ia dalin pavarësisht viteve. Sokol Hoxha është rasti I fundit ku u ndalua në SHBA dhe u ekstradua në shqipëri në gusht të këtij viti. Ai ishte dënuar për vrasjen e vitit 1997 por prej gati tre dekadash ishte ne arrati.
Pra fantazma nuk është e pavdekshme, thjesht ka mësuar të zhduket.
Një listë e tillë nuk mbyllet kurrë sepse ndërsa një emër del nga kërkimi, një tjetër futet në të. Disa mund të jenë shumë larg, mund edhe të jenë ndarë nga jeta por për sa kohë që ka një urdhër-arrest, historia e tyre nuk ka përfunduar.
*“Të gjithë personat e përmendur në këtë dokumentar konsiderohen të pafajshëm për akuzat për të cilat nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë. Lista e rënditjes së tyre sit ë shumë kërkuar është bërë në mënyrë rastësore” (A2 Televizion)