Policia Kufitare në Kapshticë ka goditur një rast të kontrabandës, duke arrestuar dy shtetas dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash të futura në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin jeshil dhe në pikat e kalimit kufitar. Si rezultat, në hyrje të Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, u ndaluan për kontroll të detajuar:
Një automjet me drejtues shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në Papër, Elbasan;
Një autobus me drejtues shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në Drenovë, Korçë.
Gjatë kontrollit:
Tek automjeti i D. Ç. u gjetën të fshehura produkte ushqimore dhe produkte medicinale për bimët, të pa deklaruara në doganë;
Në autobusin e A. K. u zbuluan, të fshehura në pjesën e brendshme të derës, një numër ikonash kulti, sasi medikamentesh, dy aparate celularë dhe disa pajisje automjetesh, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar, shkruan A2 CNN.
Në përfundim të veprimeve, të dy drejtuesit u arrestuan:
D. Ç. për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar” dhe "Kontrabanda me mallra të tjerë".
A. K. për veprën penale "Kontrabanda me mallra të tjerë".
Mallrat e kontrabandës dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.
Po ashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. Z., 30 vjeç, banues në Korçë; R. Ç., 35 vjeç, banues në Pogradec; dhe G. B., 35 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror". (A2 Televizion)