"Gërdeci", avokati i Mediut jep argumentet kundër akt-ekspertimit

Nga Armand Bajrami
2 Tetor 2024, 15:25 | Kronikë

Përmes avokatit të tij, në një seancë ku nuk ishte i pranishën, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundërshtoi akt-ekspertimin ekonomiko financiar të dosjes "Gërdeci".

Akti i paraqitur si provë nga SPAK është përpiluar gjatë hetimit të parë të çështjes "Gërdeci" dhe flet për miliona euro dëm të shkaktuara në buxhet nga procesi i demontimit, çmimet e municioneve dhe kostoja e transportit. Në seancën e kaluar përpiluesit e tij ju përgjigjën pyetjeve të palëve në proces.

Avokati Henrik Ligori tha se akti kishte probleme në formë e në përmbajtje, pasi ishte kryer nga persona që nuk gëzonin cilësitë e ekspertit. Sipas tij, ekspertët kishin pasur në dispozicion vetëm 20 përqind të shkresave apo dokumentacionit të nevojshëm për të kryer një akt-ekspertim, transmeton A2.

"Gati 50 % të përgjigjeve të ekspertëve janë përgjigje me karakter juridik, që ishte një detyrë që nuk iu takon atyre", tha Ligori.

Sipas mbrojtësit, në llogaritjen e dëmit financiar kanë përllogaritur mes të tjerash shuma 4400, 25 apo 2100 USD për mosdeklarime tatimore të SAC-Albademil, raporton A2.

"Çfarë është ministri, inspektor i tatimeve, apo funksionar i organeve tatimore? Si mund të lidhet ministri me këto? " pyeti Ligori.

Nga ana tjetër prokurori Klodian Braho, pranoi se ekspertët kanë dhënë vlerësime juridike dhe SPAK e ka paraqitur si provë akt-ekspertimin për përfundimet ekonomike.

Në seancën e radhës, të caktuar më 9 tetor, gjykata do shprehet për kërkesën e avokatëve për riekspertim të pjesshëm ekonomiko-financiar dhe më pas do të debatojë akt-ekspertimin tekniko-ushtarak të paraqitur si provë në dosje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos