GJKKO pezullon dënimin me burg për shefin e regjimit të brendshëm në burgun e Lushnjës

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2026, 16:12 | Kronikë

GJKKO pezullon dënimin me burg për shefin e regjimit të

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 2 vite e 2 muaj burgim ish-shefin e regjimit të brendshëm në burgun e Lushnjës, Irakli Leka, pasi e shpalli fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas njoftimit të shpërndarë për media, çështja u shqyrtua me procedurë të gjykimit të shkurtuar. Fillimisht, gjykata caktoi një dënim prej 3 vite e 3 muaj burgim, por në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi u ul me 1/3, duke u konvertuar përfundimisht në 2 vite e 2 muaj burgim.

Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vënë të pandehurin në provë për një periudhë 2-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, Leka nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale dhe duhet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës.

Po ashtu, u konstatua shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, ndërsa gjykata vendosi heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos