Ditën e sotme ka vijuar seanca gjyqësore për çështjen Gërdeci, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Gjatë seancë Mediu pretendoi se ekspertët e thirrur nga prokuroria për akt-ekspertizat tekniko-ushtarake ishin në një nivel të ulët ushtarak. Mediu tha se disa ushtarakë të lartë kishin kundërshtuar këto ekspertiza, ndërsa prokurori kishte deklaruar se nuk kishte njohuri për kalibrat, pasi ishte jurist.
Mediu tha se procedimi penal ishte ngritur qëllimisht nga prokuroria e kohës ndaj ministrit të Mbrojtjes dhe se ministri nuk merrej drejtpërdrejt me çështje ushtarake, për të cilat përgjegjësia i takonte shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. Ai nënvizoi se ministri i Mbrojtjes ishte civil dhe nuk kishte kompetenca për vendimin.
“Procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes. Ministri nuk merret me çështje ushtarake. Përgjegjësia për këto çështje i takon shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes është civil”, tha mes të tjerash Mediu gjatë seancës.
Të njëjtat gjëra që Mediu tha në sallën e gjyqit, i përsëriti edhe jashtë Gjykatës, teksa foli për mediat, shkruan A2 CNN.
“Dua të theksoj që në fillim. E para njëherë cilësia e ekspertëve, që janë në një kualitet dhe njohje të çështjeve ushtarake shumë më pak se shefi i shtabit apo drejtuesit e shtabit. E dyta, janë ekpertë ushtarakë, që flasin për çështje ushtarake dhe ministri është civil. Këtë debat e kam bërë edhe me prokurorin, i cili tha nuk kam dije për çështje ushtarake, sepse jam jurist. Pra këto çështje ushtarake janë teknike, nuk janë civile që të ketë dijeni ministri.
E treta është kjo që thashë, detyra e ministrit është e përcaktuar me ligj, me VKM dhe Kushtetutë. Dhe ka një norëm shumë të rëndësishme për një vend anëtar të NATO-s, kontrollin civil të Forcave të Armatosura. Me çështje teknike dhe ushtarake nuk merret ministri. Megjithatë ne kemi bërë kundërshtimin edhe pyetje pas pyetje, edhe në një përmbledhje të sotme që kemi paraqitur. Përsa i përket çështjes së dytë, asaj të paraqitjes së provave, them sinqerisht se jam i habitur se ky proces po shkon drejt një absurdi.
Pasi në të gjithë prezantimin që u bë, nuk shikohet një veprim apo shkresë e kundraligjshme e ministrit, veçse aludimeve përsa i përket procedurës administrative. Thuhet që uzinat ushtarake bënin demontime. Në 2007 uzinat ushtarake kanë punuar me kapacitet të plotë. Kemi pasur municione për të demontuar jo vetëm të uzinave ushtarake të Shqipërisë, por të të gjithë Ballkanit. I vetmi problem është kosto e këtij procesi, e cila edhe pas vitit 2008 ka rezultuar me humbje”, tha mes të tjerash Mediu jashtë sallës së gjyqit. (A2 Televizion)