Gjyqi për Gërdecin në GJKKO, Mediu kundërshton ekspertizën tekniko-ushtarake: Nivel i ulët

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 18:07 | Kronikë

Në Gjykatën e Posaçme u mbajt këtë të mërkurë seanca e radhës e Procesit “Gërdeci”, ku ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, paraqiti pretendimet e tij.

Gjatë seancës, Mediu pretendoi se ekspertët e thirrur nga prokuroria për akt-ekspertizat tekniko-ushtarake ishin në një nivel të ulët ushtarak.

Mediu theksoi gjithashtu se procedimi penal ishte ngritur qëllimisht nga prokuroria e kohës ndaj ministrit të Mbrojtjes dhe se ministri nuk merrej drejtpërdrejt me çështje ushtarake, për të cilat përgjegjësia i takonte shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak.

Të njëjtat pretendimi që Mediu tha në sallën e gjyqit, i përsëriti edhe jashtë Gjykatës, teksa foli për mediat.

“E para njëherë cilësia e ekspertëve, që janë në një kualitet dhe njohje të çështjeve ushtarake shumë më pak se shefi i shtabit apo drejtuesit e shtabit. E dyta, janë ekpertë ushtarakë, që flasin për çështje ushtarake dhe ministri është civil. Këtë debat e kam bërë edhe me prokurorin, i cili tha nuk kam dije për çështje ushtarake, sepse jam jurist.

Pra këto çështje ushtarake janë teknike, nuk janë civile që të ketë dijeni ministri. E treta është kjo që thashë, detyra e ministrit është e përcaktuar me ligj, me VKM dhe Kushtetutë. Dhe ka një normë shumë të rëndësishme për një vend anëtar të NATO-s, kontrollin civil të Forcave të Armatosura. Me çështje teknike dhe ushtarake nuk merret ministri”, tha ai.

Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjithashtu gjetjet e ekspertëve. Gjyqi ndaj tij vijon që prej prillit 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos