Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, nuk është paraqitur këtë të martë në seancën e gjykimit në themel në Gjykatën e Posaçme. Si avokat i Veliajt sot është paraqitur Plarent Ndreca, raporton A2 CNN.
Përmes një deklarate Veliaj i bën me dije gjykatës se nuk do të paraqitet në seancë dhe se do të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca.
Sipas agjentit të BKH, që ka zbatuar vendimin e gjykatës për t'i dërguar në qeli Veliajt dosjen, kryebashkiaku ka refuzuar të marrë aktet e dosjes. Ai nuk ka pranuar të firmosë procesverbalin për marrjen e akteve.
Për këtë shkak, sipas tij, aktet e dosjes i janë lënë IEVP Durrës dhe janë sistemuar në dhomën e takimeve me psikologun, ku me vendosjen e tyre nuk mund të futet më askush tjetër.
Caktimi i Ndrecës si avokat ka sjellë reagimin e prokurorit të çështjes, Altin Dmani. “Në lidhje me legjitimitetin e avokatit Plarent Ndreca, ju bëjmë me dije se Ndreca është pyetur nga spak në fazën e hetimit paraprak të këtij procedimi, si person që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit. Mbase jemi në kushte të papajtueshmërisë të qëndrimit të tij si avokat”, citohet të ketë thënë ai. (A2 Televizion)