“Gjyqtari u vra për ne”, flet një nga familjarët në proces me Shkëmbin: Do ketë ende pasoja për këtë pronë

Nga A2 CNN
6 Tetor 2025, 18:50 | Kronikë

“Gjyqtari u vra për ne”, flet një nga familjarët

Një nga përfaqësuesit e 30 familjeve që janë në proces gjyqësor me Gjon Shkëmbin ka rrëfyer në A2 CNN të gjithë kalvarin e përballjeve me drejtësinë për ndërtesën ku ata banojnë, e cila çoi sot në ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja.

I moshuari rrëfen në Ditarin e pasdites se kanë hyrë në godinë në vitin 1992 së bashku me 29 familje të tjera si të pastrehë, së bashku me disa të persekutuar dhe ish-ushtarakë.

Ai shprehet se disa vite më vonë pasi kanë kërkuar ta privatizojnë atë ndërtesë, kanë marrë vesh se ajo i ishte shitur një personi tjetër, duke akuzuar për këtë gjë ish kreun e bashkisë Lorenc Luka.

Që prej saj kohe ka vijuar dhe çështja në shkallë të ndryshme të drejtësisë, me përfaqësuesit e 30 familjeve që kërkojnë aktin se nga Gjon Shkëmbi e ka trashëguar ndërtesën.

I prekur nga ngjarja e rëndë, ai shton se gjyqtari Kalaja u ekzekutua teksa ishte duke vënë drejtësinë në vend.

“Ne jemi vendosur në 1992 në këtë godinë me aktmarrëveshje me Bashkinë. Ne jemi vendosur si të pastrehë, si të persekutuar. Ne kemi kërkuar ta privatizojmë dhe Lorenc Luka tha se nuk e plotëson dhe më pas ia ka shit Gjon Shkëmbit. Lenc Luka është strumbullari që ia ka shit. Nuk e di si mund të shitet një banesë me 30 familje, pa vërejtje. Ai na akuzoi se marrëveshja ishte false e verifikoi kriminalistika. Ai u vra për ne u vra për drejtësi. U vra për të çuar të drejtën e pronës.

Shkambit i kemi kërkuar ku e ka burimin e pronës dhe nuk e ka. Mua më ka thënë vëllai i tij që do ta lëshosh pronën. Do ketë pasoja të tjerë. Do të vdes në këtë pronë. Unë shkodran gjithë jetën dhe ata kanë zbrit prej Malësisë së Madhe. Familja Kurtaj ka qenë një prej familjeve. Gjyqi ka qenë për gjobën e përmbaruesit dhe jo për pronësinë. Ne kemi kërkuar që çështja të shqyrtohet në themel për pronën. E kemi çuar në gjykatën e Shkodrës dhe në Tiranë. Të sjellë aktin e trashëgimisë së pronës”, shprehet i moshuari në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos