Goditen Call Center-at e paligjshëm në kryeqytet, arrest me burg për 7 persona, sekuestrohet 1 milionë euro

Nga Igli Çelmeta
14 Prill 2026, 08:52 | Kronikë

Një operacion për goditjen e Call Center-ave të paligjshëm është zhvilluar sot në Tiranë, ku janë sekuestruar rreth 1 milionë euro para cash raporton A2CNN. Ndërkaq, është vendosur "arrest me burg" për 7 persona të përfshirë dhe ndalim dalje jashtë vendit për dy të tjerë, të cilët dyshohen për "mashtrim kompjuterik".

Gazetari Igli çelmeta bën me dije se është vendosur masa “arrest me burg” për shtetasit: Mateo Hoxha, Tedi Agastra dhe Ledio Toçi, Xhoji Hitaj (i arrestuar më parë), Xhoel Mekolli, Eduart Dalla dhe Marsel Lami. Ndërkaq masa “ndalim dalje jashtë vendit” është vendosur për shtetasit Ledjon Cenaj dhe Aida Vokli.

Kujtojmë që dje u raportua se në target të operacionit policor ishin dy Call Center-a që ndodhen në Rrugën e Kavajës dhe pranë Kopshtit Zoologjik. Në shënjestër të operatorëve të Call Center-ave kanë qenë qytetarë europianë, të cilët mashtrohen, duke u zhvatur shuma të konsiderueshme parash. 

Goditja më e fundit ndaj Call Center-ave në Tiranë datonte më 12 nëntor të vitit 2025. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Tiranës në lidhje me operacionin e fundit. 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos