Çfarë po ndodh me goditjen e call centerave, në një kohë kur shifrat tregojnë një kontrast të fortë mes përmasave reale të mashtrimeve dhe numrit relativisht të ulët të operacioneve. Janë statistikat dhe informacionet zyrtare të Policisë së Shtetit ato që konfirmojnë se që prej datës 12 nëntor të vitit 2025, pra prej 5 muajsh në Shqipëri nuk është zhvilluar asnjë operacion ndaj call centerave. Për vitin 2025 u goditën gjithsej vetëm 8 call centera të parregullt.
Dy goditjet e fundit më të mëdha nga policia datojnë më 4 tetor dhe 12 nëntor të vitit 2025 në Tiranë, me operacionin “SCAMS”, ku u sekuestruan mbi 100 mijë euro dhe u proceduan 38 operatorë. Call center-i mashtronte qytetarë evropianë me shuma milionëshe. Ndërsa më 12 nëntor, operacioni “Wrong Call” zbuloi një tjetër ambient në Selitë, ku u arrestua menaxheri dhe dy punonjës. Policia shpalli në kërkim edhe personat që kishin marrë ambientin me qira për këtë veprimtari.
Prej 5 muajsh nuk ka asnjë operacion nga policia kundër call centerave, ndërkohë që fenomeni vijon të mbetet një nga format më të përhapura të mashtrimit ekonomik. Kjo konfirmohet edhe nga operacioni i SPAK me autoritetet italiane që më 17 janar goditën një rrjet call centerash në kryeqytet. Që shqetësimi mbetet i fortë e konfirmon edhe porosia e Drejtorit të ri të Policisë Skënder Hitaj tek u përcaktoi strukturave të policisë në Tiranë si detyrë kryesore pikërisht goditjen e paligjshmërisë përmes call centerave
Ndërsa në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit struktura përgjegjëse kundër kësaj veprimtarie është Departamenti i Policisë Kriminale.
(A2 Televizion)